Lidhje

Vietnamezët joshen nga industritë e jashtëligjshme në Britani


Ngjarja me 39 emigrantët që humbën jetën në frigoriferin e një kamioni kohët e fundit në afërsi të Londrës, e që besohet se kishin origjinë vientameze, vuri në qendër të vemendjes rreziqet që duhet të kalojnë ata që kërkojnë jetë më të mirë në Britani përmes emigracionit. Siç njofton nga Londra Henry Ridgwell, shumë vientamezë joshen nga përfitimi që mund të kenë duke punuar në industri të jashtëligjshme.

Shumë emigrantë që hyjnë në mënyrë të jashtëligjshme në Britani, joshen nga paratë që mund të fitojnë brenda një kohë të shkurtër.

Tamsin Barber, eksperti i çështjeve të diasporës vietnameze në Britani, thotë se shumë emigrantë janë gati të ndërmarrin rreziqe të mëdha.

“E bëjnë sepse e dinë se në Britani, kanë mundësi të gjejnë punë në industrinë e kanabisit, ku përfitojnë shuma të mëdha parash për pak kohë. Kështu u paguajnë borxhet kontrabandistëve dhe ndihmojnë familjet”, thotë Tamsin Barber nga Universiteti Oxford Brookes.

Përveç industrisë së kanabisit, vietnamezët punojnë në sallone manikyri, biznese këto që janë përhapur shumë në rrugët e Britanisë vitet e fundit.

Një pjesë punojnë në restaurante si pastrues. Të tjerë përfundojnë në prostitucion. Pasi hyjnë, shumë mbesin të ngujuar.

“Pasi mbërrijnë në Britani, borxhi prej 30 deri 40 mijë dollarë u merret nga pagat. Nëse nuk sillen sipas udhëzimeve familjet e tyre mund ta pësojnë nga bandat kriminale”, thotë Phil Robertson, zëvendësdrejtor për Azinë i organizatës “Human Rights Watch”.

Disa emigrantë trajtohen si skllevër.

“Janë shumë të frikësuar se edhe nëse raportojnë tek autoritetet abuzimin, do të arrestohen dhe kthehen mbrapsht në Vietnam, me shumë borxhe”, thotë Phil Robertson.

Veç rreziqeve, për të emigruar kërkohen vendime të mëdha.

“Mënyrat që familjet shfrytëzojnë për të grumbulluar paratë janë shitja e tokave, hipotekojnë shtëpitë ose marrin para nga huazues me interesa shumë të larta”, thotë Tamsin Barber nga Universiteti Oxford Brookes.

Fitimi mund të sjellë ndryshim në komunitetet e tyre. Për shembull në Do Thanh, në jug të Hanoit shtëpitë e vogla janë kthyer në vila luksoze.

“Më herët komuna Do Thanh kishte vetëm fermerë. Por disa njerëz u larguan dhe u pasuruan. Prandaj shumë njerëz po shfrytëzojnë rrugë ligjore e joligjore për t’u larguar”, thotë Nguyen Vna Tyuy banor i Do Thanh.

Rrugët e jashtëligjshme u morën jetën 39 emigrantëve, që vdiqën duke hyrë në Britani.

“Po marrin rrugë të rrezikshme dhe do të vazhdojnë kështu sepse përfitojnë shumë nga emigrimi në Britani”, thotë Tamsin Barber nga Universiteti Oxford Brookes.

Kërkesa për jetë më të mire në Britani, i vë emigrantët përballë një dileme të madhe, nëse ia vlen të rrezikohet për përfitime kaq të mëdha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG