Lidhje

Presidenti Trump fillon herët kontrollin fizik vjetor


Trump Walter Reed

Presidenti Donald Trump bëri një vizitë të papritur në një spital ushtarak pasditen e së shtunës për atë që Shtëpia e Bardhë thotë se është një fillim i hershëm i kontrollit të tij të përvitshëm shëndetësor.

"Duke parashikuar një 2020 shumë të ngarkuar, presidenti po përfiton nga një fundjavë e lirë këtu në Uashington, D.C., për të filluar pjesët e rutinës së tij të ekzaminimit vjetor fizik në qendrën Walter Reed," thanë një deklaratë sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham .

Presidenti kaloi rreth dy orë e 15 minuta në kompleksin mjekësor në Bethesda, Merilend. Një fotograf e pa Presidentin të dilte nga qendra mjekësore me një jakë të hapur dhe pa kravatë.

Sekretarja Grisham, menjëherë pas largimit të Trumpit, tha se presidenti iu nënshtrua një "ekzaminimi të shpejtë dhe analiza" dhe ai "mbetet i shëndetshëm dhe energjik pa ankesa, siç dëshmohet edhe nga prezantimet e tij të fuqishme në mitingjet para mijëra amerikanëve disa herë në javë".

Sekretarja e shtypit nuk dha hollësi të tjera se çfarë lloji analizash iu nënshtrua Presidenti Trump.

Në një mesazh të mesnatës në Twitter (herët në mëngjes të së dielës), Presidenti Trump tha se ai kishte filluar "fazën e parë të kontrollit të përvitshëm fizik. Gjithçka shumë mirë (shkëlqyeshëm). Do ta përfundojë atë vitin e ardhshëm "

Sekretarja Grisham tha gjithashtu se Presidenti, ndërsa ishte në qendrën mjekësore, përshëndeti gjithashtu stafin mjekësor "për t’i falenderuar të gjithë për kujdesin e jashtëzakonshëm që ata ofrojnë për luftëtarët tanë të plagosur dhe u uroj atyre një Ditë të mbarë Falenderimesh".

Para se të largohej nga qendra Walter Reed, Presidenti Trump u takua gjithashtu me familjen e një ushtari të forcave speciale të plagosur në Afganistan.

Trump, 73 vjeç, u vlerësua në gjendje të mirë nga mjeku i tij zyrtar, Komandanti i Marinës, Sean Conley, pas një ekzaminimi në fillim të shkurtit në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Bethesda, Merilend.

Presidenti, i cili pëlqen gatimet fastfood dhe mishin e kuq, nuk pi alkool apo duhan. Ai nuk dihet të ketë patur ndonjë problem shëndetësor që kur u bë president në janar 2017, por ka një histori të kolesterolit të lartë dhe merr një dozë të ulët ditore të aspirinës për shëndetin kardiak.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG