Lidhje

Çarlston, artizanë të rinjë restaurojnë qytetin historik


30 vjet më parë një uragan vdekjeprurës goditi qytetin piktorest të Çarlstonit në Karolinën e Jugut duke shkatërruar shumë prej ndërtesave historike. Mungesa e artizanëve të aftë për riparime bëri që restaurimet të vazhdonin për vite të tëra. Sot, një shkollë e lartë e artit në këtë zonë u ofron të rinjve lëndë ku mësojnë traditat e restaurimit të ndërtesave historike. Nevojat janë aq të mëdha sa që të gjithë të diplomuarit gjejnë punësim. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh vizitoi universitetin për të mësuar se si po arrin ky institucion t’u përgjigjet nevojave arkitektonike të qytetit:

Alex Fisher po punon për restaurimin e një brave. Jeremiah Price përpiqet që të nxehë metalin për ta bërë më të punueshëm. Steven Fancsali preferon punimet e drurit.

Të gjithë ata shprehen të kënaqur që u jepet mundësia të mësojnë gjatë punës në këtë universitet të Karolinës së Jugut.

“Pashë një emision në televizor për këtë shkollë. Më erdhi keq që nuk kisha dëgjuar për këtë program arsimor 10 vjet më parë kur po shikoja çfarë universiteti të zgjidhja. Vendosa të filloj studimet këtu,” thotë Franca Fancsali.

Ky është Kolegji Amerikan i Arteve Ndërtimore në qytetin historik të Çarlstonit. Kolegji u ofron studentëve dituri dhe praktikë në artet tradicionale të restaurimit.

Kjo shkollë e lartë u themelua pas uraganit Hugo që goditi këtë qytet bregdetar në 1989 duke shkatërruar shumë shtëpi e ndërtesa historike.

Pas uraganit doli në pah nevoja urgjente për artizanë me përvojë që do të bënin të mundur rindërtimin e qytetit. Kjo nevojë tregoi se nuk kishte një numër të mjaftueshëm specialistësh.

Periudha pas uraganit ofroi mundësinë për të hapur një shkollë të lartë për artet e ndërtimtarisë tradicionale. Ky është i vetmi kolegj në Shtetet e Bashkuara që ofron një program të tillë:

“Është një shkollë unike sepse ofron një ndërthurje të shkencave humane, pra lëndët që i përgatisin studentët për mendimin kritik, me një numër aftësish teknike. Kur studenti diplomohet, ai është përgatitur si specialist për ruajtjen e objekteve historike, apo ndërtime cilësore, si dhe aftësi të tjera për jetën,” thotë presidenti i kolegjit, Colby Broadwater.

Studentët punojnë edhe jashtë mjediseve universitare duke marrë pjesë në projekte në komunitet.

Në oborrin e brendshëm të një kompleksi banimi, studentët po ndërtojnë një kënd lojrash plotësisht me materiale natyrore.

“Po ndërtojmë bazuar në një metodë që ndjek praktikat e përdorimit të qëndrueshëm të materialeve natyrore. Këto praktika e kanë zanafillën 7000 vjet më parë. Në këtë klasë studentët mësojnë përmes punës dhe gjithashtu japin kontribut në komunitet,” thotë instruktorja April Magill.

Presidenti Broadwater thotë se kolegji i kushton rëndësi krijimit të një shpirti komunitar në shkollë.

“Ne jemi direkt të angazhuar në shumë projekte që prekin jetën e shumë njerëzve: projekte publike që zbukurojnë qytetin apo shtetin. Studentët ndjejnë krenari që po bëjnë diçka konkrete. Prandaj kanë zgjedhur këtë shkollë. Një ditë do të tregojnë me krenari: unë e ndërtova atë që sheh”.

Simeon Warren jep mësim në këtë kolegj prej 18 vjetësh.

“Sudentët punojnë për të riparuar objekte monumentale 250 vjeçare. Këto janë objekte të paçmueshme, prandaj nuk duhen bërë gabime. Kjo i jep njeriut një ndjesi kontributi, thjesht për faktin se e di që puna e tij do të jetë e pranishme për qindra vjet”.

Ndoshta prandaj shumë prej studentëve marrin oferta për punë, ende pa marrë diplomën:

Leigh Yarbrough po punon në një varrezë historike, në një projekt për restaurimin dhe riparimin e disa gurëve të varrit.

“Javën e kaluar mora një ofertë për punë. Ai që më telefonoi më tha se nëse kisha oferta të tjera pune, ai do ta rriste rrogën që më kishte propozuar. Pra me këtë shkollim kemi plot mundësi”.

30 vjet pas uraganit Hugo, qyteti i Çarlstonit duket në lulëzim të plotë. Nëse një tjetër katastrofë natyrore do të godasë qytetin, këta artizanë janë mëse të përgatitur për të reaguar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG