Lidhje

Sondland: Presidenti Trump kushtëzoi ndihmën për Ukrainën


Ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland tha të mërkurën para komisionit të Kongresit që po bën hetimin për shkarkimin e mundshëm, ndihma amerikane për Ukrainën ishte e kushtëzuar me hetimet nga të cilat zoti Trump do të përfitonte politikisht. Dëshmia e zotit Sondland, mund të jetë një pikë kthese kritike në hetimin për procesin e shkarkimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, njofton nga Kongresi lidhur me dëshminë eksplozive që mund të ndikojë në të ardhmen e postit të zotit Trump.

Ambasadori amerikan në BE, dëshmonte për herë të parë publikisht për lidhjet mes ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën dhe hetimeve nga të cilat Presidenti Trump do të përfitonte politikisht.

“E di që anëtarë të këtij komisioni i kanë paraqitur shpesh këto çështje të ndërlikuara në formën e një pyetjeje të thjeshtë: a ka patur kushtëzim për ndihmën? Siç kam dëshmuar më parë, përsa i takon telefonatës që kërkoi Shtëpia e Bardhë dhe takimit të Shtëpisë së Bardhë, përgjigjia është po”, tha zoti Sondland.

Ai shpjegoi se ai, Ambasadori Kurt Volker dhe Sekretari i Energjisë, Rick Perry vepruan nën udhëzimet e avokatit personal të zotit Trump, Rudy Giuliani.

“Ne të gjithë e kuptuam se nëse do të kishim refuzuar bashkëpunimin me zotin Giuliani, atëherë do të kishim humbur një mundësi shumë të rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Ukrainën..”

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se dëshmia e zotit Sondland, vërtetonte qartë se zoti Trump kishte abuzuar me pushtetin e postit të tij.

“Ne po dëgjojmë gjithashtu për herë të parë se rrethi i atyre që e dinin për këtë skemë, ishte i gjerë. Sekretari i Shtetit ishte në dijeni, shefi i personelit, Mulvaney ishte në dijeni dhe sigurisht në krye, Donald Trump përmes avokatit të tij personal dhe të tjerëve po e zbatonte atë”.

Zoti Sondland bëri akuza serioze ndaj zyrtarëve të lartë të administratës, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, i cili e mbrojti rolin e vet.

"E di me saktësi se cila është politika amerikane ndaj Ukrainës. Unë po punoja për këtë politkë dhe jam shumë krenar për atë që kemi arritur. Ne kemi siguruar rezultate të mëdha për popullin ukrainas”.

Zoti Trump e mbrojti veten duke përmendur telefonatën e tij para disa muajsh me zotin Sondland.

“Nuk dua asgjë, nuk dua asgjë në këmbim të asgjëje, thuaji Zelenskiy-t të bëjë atë që duhet. Kjo është fjala e fundit e Presidentit të Shteteve të Bashkuara: nuk dua asgjë”.

Zoti Trump zhbllokoi afro 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën më 11 shtator, pasi shqetësimet për bllokimin e tyre, u bënë publike.

Republikanët argumentojnë se zoti Trump nuk mund të bëhet objekt i shkarkimit nëse ndihma u zhbllokua dhe Ukraina nuk njoftoi asnjëherë për hetimet.

“Ata e morën telefonatën, siguruan takimin, morën paratë”, tha ligjvënësi republikan, Jim Jordan.

Një argument republikan që siç thotë një analiste, duket se baza e përkrahësve të tij e beson.

“Baza e tij po e mbështet. Kemi parë disa republikanë që kanë ngritur zërin dhe e kanë kritikuar hapur dhe që kanë lënë të kuptohet se veprimi i tij ishte i papërshtatshëm. Por ato kritika nuk kanë qenë shumë të ashpra apo të vazhdueshme. Nuk kanë krijuar një valë të fortë që të dalë kundër Presidentit”, thotë Jennifer Victor e universitetit“George Mason”.

Mbështetja në senatin me shumicë republikane do të jetë kyç për mbajtjen e zotit Trump në detyrë, nëse ai përballet me gjyq atje, pas votimit për shkarkimin në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG