Lidhje

Republikani Nunes nuk i përgjigjet pyetjes nëse është takuar me ish-kryeprokurorin e Ukrainës


Trump Impeachment

Republikani Nunes nuk i përgjigjet pyetjes nëse është takuar me ish-kryeprokurorin e Ukrainës

Devin Nunes, republikani kryesor i komisionit të Zbulimit (Dhoma e Përfaqësuesve) që po heton Presidentin Donald Trump, nuk pranoi t'i përgjigjej të dielën pyetjeve nëse ishte takuar me një ish-zyrtar ukrainas për të mbledhur informacione rreth djalit të ish-Nënpresidentit Joe Biden.

Avokati që përfaqëson zotin Lev Parnas, një bashkëpunëtor i avokatit personal të zotit Trump, Rudy Giuliani, ndaj të cilit rëndon një aktpadi, tha për disa media të premten se zoti Nunes ishte takuar me ish-Kryeprokurorin e Ukrainës Victor Shokin në Vjenë në vitin 2018.

Pretendimi është i diskutueshëm sepse zoti Nunes nuk ka folur për ndonjë takim të kësaj natyre gjatë mbrojtjes që i ka bërë në emër të republikanëve Presidentit Donald Trump gjatë seancave dëgjimore në kuadër të hetimeve për shkarkimin e tij.

Duke folur të dielën për rrjetin televiziv “Fox News” zoti Nunes u pyet drejtpërndrejtë nëse ai ishte takuar me Victor Shokin. Ligjvënësi u përgjigj se ai kishte në plan t’u përgjigjej pyetjeve, por nuk mund ta bënte këtë gjë "tani".

Zoti Nunes e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur procesin hetimor që mund të çojë në shkarkimin e presidentit. Ligjvënësit po hetojnë nëse zoti Trump i ka bërë presion të Ukrainës për të hapur hetime që mund të dëmtonin potencialisht zotin Biden, një pretendent kryesor për të qenë kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për zgjedhjet e 2020-s përballë Donald Trump-it.

Demokratët kanë thënë se nëse pretendimi i zotit Parnas vërtetohet, zoti Nunes mund të përballet me një hetim për shkelje të etikës. Zoti Parnas ndaj të cilit janë ngritur akuza në lidhje me kontribute të dyshimta politike, kërkon imunitet për të dëshmuar përpara komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Kongresi nuk pritet të mblidhet deri më datë 3 dhjetor. Por gjatë një interviste të dielën për rrjetin televiziv “CNN” kryetari i komisionit Adam Schiff tha se egzistojnë mundësitë për më shumë dëshmi në kuadër të hetimeve për shkarkimin e presidentit.

Afati kohor për një votim për ngritjen zyrtarisht të akuzave nga Dhoma e Përfaqësuesve është ende i paqartë. Komisioni që drejton zoti Schiff ka ende punë me hartimin e një raporti bazuar në hetimet e deritanishme i cili i dorëzohet më pas komisionit Jurik po të kësaj dhome. Ky i fundit përgatit akuzat që do t’i shkojnë për votim Dhomës së Përfaqësuesve.

Demokratët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, mund t’i zyrtarizojnë akuzat me shumicë të thjeshtë votash. Çështja i kalon Senatit që pas zhvillimit të një procesi gjyqësor duhet të marrë një vendim me dy të tretat e votave për të shkarkuar nga detyra presidentin Trump. Deri tani asnjë prej republikanëve, në të dyja dhomat e Kongresit, nuk kanë dhënë ndonjë sinjal se është pro ngritjes zyrtarisht të akuzave ndaj presidentit.

Në një postim në Twitter të dielën zoti Trump kritikoi seancat dëgjimore dhe tha se sondazhet "tashmë janë kthyer shumë fuqishëm kundër procesit për shkarkimin e tij, veçanërisht në shtetet e lëkundura", ato shtete ku si demokratët dhe republikanët i kanë shanset e barabarta për të fituar. Zoti Trump nuk sqaroi se për çfarë sondazhesh bëhej fjalë. Sipas të dhënave sondazhet tregojnë se opinioni publik është i ndarë në mënyrë të barabartë nëse duhet apo jo që ndaj presidentit të zyrtarizohen akuzat për shkarkim.

Gjatë dy javëve të fundit në Kongres u paraqitën dymbëdhjetë dëshmitarë. Ata sollën detaje të reja lidhur me dyshimet se zoti Trump i bëri presion Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy që të hetojë kundërshtarin e tij politik Joe Biden dhe djalin e tij, Hunter Biden.

Dëshmitarët i thanë ligjvënësve se zoti Giuliani kishte luajtuar një rol kryesor në presionin ushtruar ndaj zyrtarëve ukrainas për të nisur hetimin.

"Të gjithë e kuptuam se nëse nuk do të pranonim të punonim me zotin Giuliani, do të humbisnim një mundësi të madhe për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës. Ndaj ne zbatuam urdhrat e presidentit", tha në dëshminë e tij të mërkurën Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG