Presidenti Donald Trump njoftoi të hënën se do të rivendosë menjëherë tarifat ndaj çelikut dhe aluminit që importohet nga Brazili dhe Argjentina. Njoftimi në twitter i presidentit amerikan, rreth të cilit nuk dha detaje, pati ndikim në tregun e aksioneve dhe tek monedha e dobët meksikane, që pësuan ulje.
Përfaqësuesit e departamentit amerikan për tregtinë nuk kanë bërë asnjë koment deri tani mbi këtë çështje.
"Brazili dhe Argjentina kanë përfituar nga një zhvleftësim masiv i monedhës së tyre gjë që nuk është e mirë për fermerët tanë. Për këtë arsye do të rivendos menjëherë tarifat ndaj çelikut dhe aluminit që importohet në SHBA nga këto vende”, shkruante zoti Trump.
Presidenti brazilian Jair Bolsonaro, që njihet si një admirues i zotit Trump dhe që ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme lidhje më të ngushta me SHBA-në, tha se do të fliste direkt me udhëheqësin amerikan dhe se do të diskutonte rreth deklaratave të zotit Trump me ministrin e Ekonomisë së Brazilit.
Të hënën zoti Trump i kërkoi Bankës Qëndrore Amerikane të parandalojë siç tha që disa vende të sigurojnë avantazhe ekonomike, duke zhvlerësuar monedhat e tyre.
“Banka duhet gjithashtu të veprojë, në mënyrë që vende të ndryshme prej të cilave ka shumë, të mos përfitojnë nga dollari ynë i fortë”.
Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur ka kërkuar që Banka Qendrore Amerikane të ulë normat e interesit nën zero, duke argumentuar se normat negative në Evropë e gjetkë u japin këtyre vendeve avantazhe konkurruese.
Sidoqoftë, zyrtarët që merren me politikat e bankës kanë nguruar të marrin këtë hap radikal të ndërmarë nga bankat e tjera qendrore në vende të tjera të botës. Komisioni për politikat i Bankës Qendrore Amerikane pritet të mblidhet më datat 10 dhe 11 dhjetor.
Facebook Forum