Lidhje

Ndihmat për Ukrainën dhe hetimi për shkarkimin e Presidentit Trump


Në Shtetet e Bashkuara, hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve që synon shkarkimin e Presidentit Donald Trump është përqendruar te pikëpyetja nëse e vonoi Shtëpia e Bardhë ndihmën ushtarake që i kishte premtuar Ukrainës derisa kreu i saj t'i bënte presidentit një favor politik? Por le t’i hedhim një sy kësaj ndihme dhe përse është ajo kaq e rëndësishme për Ukrainën.

Në vitin 2014, Rusia pushtoi Ukrainën lindore dhe aneksoi në mënyrë të paligjshme territorin ukrainas të Krimesë.

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 1,6 miliardë dollarë ndihmë që Ukraina të mbrojë veten kundër fqinjit të saj më të fortë Rusisë në konfliktin e armatosur me separatistët e mbështetur nga Moska në rajonin lindor ukrainas të Donbasit.

"Që nga ajo kohë, si administrata Obama ashtu edhe administrata Trump i kanë ofruar Ukrainës pajisje ushtarake, si radarë, dylbi për shikimin natën, automjete ushtarake apo helmeta. Me ardhjen e administratës Trump, Ukrainës i janë dhënë armë me fuqi vdekjeprurëse, të cilat administrata Obama nuk ishte e gatshme t’i jepte, për shembull raketa anti-tank si dhe trainime të tjera që po e ndihmojnë Ukrainën të luftojë me separatistët rusë në lindje", thotë Mark Simakovsky i Këshillit Atlantik.

Will Pomeranz i Qendrës Wilson thotë se ish-Presidenti Barack Obama u tregua kujdesshëm sa i përket përfshirjes më të thellë të SHBA në konflikt:

"Presidenti Obama në fillimet e krizës u përpoq vazhdimisht ta minimizonte disi krizën dhe që luftës në Ukrainë t’i jepej fund në një farë mënyre. Shqetësimi ishte se nëse Shtetet e Bashkuara do ta shtonin ndihmën, atëherë rusët do të shkallëzonin mbështetjen për separatistët dhe kjo mund të çonte në thellimin e konfliktit.”

Administrata Trump miratoi ndihmë me armatime vdekjeprurëse, si raketa anti-tank. Megjithatë, thotë Michael O'Hanlon i Institutit Brookings, vetë Presidenti Donald Trump ka pikëpamje më pak favorizuese për Ukrainën:

"Mendoj se Presidenti Trump në fakt nuk ka dashur ta ndihmojë Ukrainën, por këshilltarët e tij i kanë thënë që nuk kishte rrugë tjetër."

Në muajin shkurt, Kongresi miratoi një ndihmë prej 391 milion dollarësh për Ukrainën për këtë vit financiar, përfshirë trajnime ushtarake, për të cilat ekspertët thonë se ishin tepër të nevojshëm.

"Kur filloi lufta, ushtria ukrainase, ashtu si pjesa më e madhe e vendit, ishte zhytur në korrupsion në nivele të ndryshme dhe as që ishte në gjendje të ekzistonte si forcë luftarake," Will Pomeranz i Qendrës Wilson.

Eksperti O'Hanlon thotë se ndihma ka përmirësuar ndjeshëm aftësitë dhe moralin e Ukrainës, edhe pse është e vogël në krahasim me ndihmën ushtarake amerikane për vendet e tjera:

"Ne i japim shumë më tepër ndihmë Afganistanit, më duket disa miliardë dollarë në vit. Mendoj se ndihma për Ukrainën është e krahasueshme me atë për Irakun.”

Zyrtarë të Departamentit të Shtetit dëshmuan gjatë seancave hetimore në Kongres se ndihma i dërgon Rusisë sinjalin e rëndësishëm se Amerika e konsideron Ukrainën një aleate të ngushtë dhe e mbështet.

Laura Cooper është Zëvendës Ndihmës Sekretare e Mbrojtjes për çështjet e Rusisë, Ukrainës dhe Eurasisë:

"Ne gjithashtu ofrojmë ndihmë në mënyrë që Ukraina të mund të negociojë paqen me Rusinë nga një pozitë e forcës. Numri i viktimave ukrainase vazhdon të rritet në këtë luftë. Që nga pushtimi rus në vitin 2014 kanë humbur jetën 14,000 njerëz".

Në fillim të këtij muaji, përfaqësues nga Ukraina, Rusia, Franca dhe Gjermania do të mblidhen në Paris për bisedime paqeje për t’i dhënë fund konfliktit. SHBA nuk kanë ndërmend të marrin pjesë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG