Lidhje

Udhëheqësit e Natos: Samiti i Londrës, një sukses


Britain NATO

Udhëheqësit e NATO-s lanë mënjanë fyerjet publike me fjalë si “kriminale”, “vdekje klinike”, apo “dyfytyrësh”, duke deklaruar të mërkurën se do të qëndrojnë të bashkuar kundër një kërcënimi të përbashkët nga Rusia dhe në përgatitje të rritjes së Kinës.

Zyrtarët këmbëngulën se samiti ishte një sukses: më e rëndësishmja, Presidenti turk Tayip Erdogan u tërhoq nga kërcënimi për të bllokuar planet e mbrojtjes së Evropës Veriore dhe Lindore, me kusht që aleatët t’i shpallin si terroristë luftëtarë kurdë në Siri.

Megjithatë, takimi filloi dhe mbaroi me tensione që mund të quhen befasi edhe në epokën e një presidenti amerikan si Donald Trump, i cili kur arriti e cilësoi si “të pasjellshëm” presidentin francez dhe u largua duke e quajtur kryeministrin kanadez “njeri me dy fytyra", pasi ky u filmua duke e ironizuar presidentin amerikan.

"Ne ishim në gjendje t'i kapërcenim mosmarrëveshjet dhe vazhdojmë të përmbushim detyrat tona kryesore për të mbrojtur njëri-tjetrin,” tha me tone si gjithnjë optimiste Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

Në një deklaratë të përbashkët, 29 udhëheqësit e aleancës thanë: "Veprimet agresive të Rusisë përbëjnë një kërcënim për sigurinë Euro-Atlantike; terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë ne".

Samiti gjysmë ditor në një vendpushim golfi në periferitë e Londrës me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, gjithnjë pritej të ishte i komplikuar, por zyrtarët shpresonin të shmangnin kritikat e befta si ato në takimin e tyre vitin e kaluar kur Presidenti Trump u ankua për aleatët që nuk ndanin barrën e sigurisë kolektive.

Takimi i këtij viti u bë edhe më i vështirë për shkak të presidentit Erdogan, i cili nisi një inkursion në Siri dhe bleu raketa ruse megjithë kundërshtimet e aleatëve, si dhe nga deklaratat e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një intervistë muajin e kaluar e përshkroi aleancën si në “vdekje klinike”.

Në publik gjërat dukej se po shkonin më keq sesa pritej, duke filluar nga dita e martë, kur Presidenti Trump i quajti komentet e zotit Macron "shumë, shumë të pasjellshme" dhe i përshkroi aleatët që shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen si "kriminalë", koment që sipas zyrtarëve, Presidenti Trump e përdori përsëri të mërkurën pas dyerve të mbyllura gjatë samitit.

Trump Erdogan
Trump Erdogan

Ndërkaq, Presidenti i SHBA e quajti Kryeministrin kanadez Justin Trudeau si "njeri me dy fytyra" pasi ky i fundit u kap në kamera të martën mbrëma duke ironizuar një konferencë shtypi të Presidentit Trump.

Incidenti ndodhi gjatë një pritjeje në Pallatin Buckingham, pasi zoti Trump kishte kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë kur iu përgjigj gazetarëve në prag të samitit të NATO-s.

Macron, Trudeau, Kryeministri britanik Boris Johnson dhe Kryeministri hollandez Mark Rutte u filmuan duke biseduar në pritje, së bashku me vajzën e mbretëreshës Elizabeth, Princeshën Anne.

"A është kjo arsyeja pse u vonove?" e pyeti Kryeministri Johnson Presidentin Macron.

".. Ishte si një konferencë shtypi 40-minutëshe. Po, po, po! Dyzet minuta," tha Trudeau.

Të pranishmit shkëmbyen edhe fjalë të tjera por që nuk u kapën nga mikrofoni i kamerës.

Pastaj, Trudeau shtoi me të qeshur: "Po shihja se si ekipi i tij i këshilltarëve mbeti i shtangur.”

I pyetur të mërkurën për komentet e zotit Trudeau, Presidenti Trump u përgjigj: "Ai është me dy fytyra.”

Zoti Trump la të kuptohet se Kryeministri Trudeau ishte i mërzitur pasi ishte kritikuar prej tij që nuk kishte përmbushur objektivin e shpenzimit të 2% të prodhimit kombëtar për mbrojtjen.

Në një konferencë shtypi pas samitit, Trudeau tha se fjalët e tij që “këshilltarët shtangën” kishte të bënte me njoftimin e papritur të Presidentit Trump se samiti tjetër i G7 do të zhvillohet në Camp David dhe se ai nuk e kishte thënë këtë në formë fyese.

"Kemi pasur një takim të shkëlqyer dje mes meje dhe presidentit," deklaroi Trudeau.

Presidenti Trump vendosi të mos mbajë një konferencë përfundimtare për shtyp, duke thënë se kishte folur mjaft.

HUAWEI DHE RREZIQET E SIGURISË

Megjithë mosmarrëveshjet, zyrtarët thanë se ishin arritur vendime të rëndësishme, përfshirë një marrëveshje për të garantuar sigurinë e komunikimeve, përfshirë rrjetet e reja të telefonisë celulare G5.

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që aleatët të mos përdorin pajisje të firmës kineze Huawei, prodhuesi më i madh i pajisjeve të telekomunikacionit në botë. "Unë mendoj se është një rrezik sigurie,” tha Presidenti Trump në përgjigje të një pyetje për Huawei-n.

"Fola me Italinë dhe duket se ata nuk do ta vazhdojnë planin për blerjet nga Huawei. Kam folur edhe me vendet e tjera, edhe ata nuk do të vazhdojnë të blejnë,” tha ai.

Ndërkaq, Presidenti Macron u qëndroi kritikave të tij të mëparshme ndaj strategjisë së NATO-s, duke thënë se është e rëndësishme që udhëheqësit t’i diskutojnë problemet të hapur nëse duan të gjejnë zgjidhje.

"Mendoj se është përgjegjësia jonë të nxjerrim në pah dallimet të cilat mund të jenë të dëmshme dhe kështu të kemi një debat të vërtetë strategjik," tha ai.

"Kjo ka filluar, kështu që unë jam i kënaqur", shtoi presidenti francez.

Një nga ankesat kryesore të zotit Macron është se Turqia, anëtare e NATO-s që nga viti 1952 dhe aleate me rëndësi në Lindjen e Mesme, po vepron gjithnjë e më shumë në mënyrë të njëanshme, duke filluar me inkursionin e saj në Siri dhe me blerjen e raketave anti-ajrore ruse S-400.

Në komentet e tij për shtypin, shefi i NATO-s Stoltenberg tha se ndërsa Rusia ishte një kërcënim, NATO-ja gjithashtu dëshiron të sigurojë një dialog konstruktiv me të. Ai shtoi se Sistemi S-400 nuk përputhet në asnjë mënyrë me mbrojtjen e NATO-s.

Franca dhe Gjermania gjithashtu morën mbështetje për një rishikim strategjik të misionit të NATO-s. Aleanca do të krijojë një "grup personash të mençur” për të studiuar se si duhet të ripozicionuar aleanca në të ardhmen. Kjo mund të përfshijë zhvendosjen e operacioneve të saj nga Evropa Lindore drejt kërcënimeve në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Samiti u zhvillua ndërsa Presidenti Trump përballet me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikën e tij për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca dëgjimore ndërsa ai po merr pjesë në samit.

Donald Trump nuk është presidenti i parë i amerikan që merr pjesë në një samit të NATO-s nën renë e fajësimit. Në vitin 1974 Richard Nixon shkoi në takimin e 25-vjetorit të NATO-s në Bruksel, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po përmbyllte hetimin e saj për procesin e shkarkimit. Nixon dha dorëheqjen pak javë më vonë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG