Lidhje

Komisioni i ligjeve debaton akuzat ndaj Presidentit Trump


Komisioni i Ligjeve i Dhomës së Përfaqësuesve pritet të votojë sot akuzat që mund të çojnë në shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Demokratët kërkojnë ndëshkimin e zotit Trump që ata thonë se abuzoi me pushtetin, por republikanët e kritikojnë procesin duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht dhe të pa bazuar në prova. Le t’i hedhim një sy këtyre zhvillimeve historike në Uashington.

Komisioni vazhdoi deri në orët e vona të së mërkurës të debatojë rreth akuzave ndaj Presidentit Trump për abuzim me postin. Presidenti akuzohet se i kërkoi një qeverie të huaj që të ndërhyjë në zgjedhjet e 2020-tës, si dhe se pengoi Kongresin duke udhëzuar administratën e tij që të injorojë fletëthirrjet që ligjvënësit dërgonin gjatë procesit hetimor.

Akuza qendrore, siç u paraqit nga Kryetari i Komisionit Jerrold Nadler, është se Presidenti Trump i bëri presion Ukrainës duke pezulluar 391 milionë dollarë asistencë ushtarake. Ndërkohë ai kërkoi që zyrtarët ukrainas të angazhoheshin se do të hetonin ish-Nënpresidentin amerikan Joe Biden, njëkohësisht edhe rivali më i mundshëm politik i Presidentit për zgjedhjet e 2020-tës.

“Kur Presidenti i kërkon një qeverie të huaj të hetojë rivalët e tij politikë vendorë, ai korrupton zgjedhjet tona. Për Themeluesit, ky lloj korrupsioni ishte veçanërisht i rrezikshëm. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë tonë. Nëse zgjedhjet tona janë të kalbura, atëherë gjithçka është e kalbur”, tha Jerrold Nadler, Kryetar i Komisionit të Ligjeve.

Udhëheqësi republikan në këtë komision, Ligjvënësi Doug Collins, tha se demokratët kanë dashur ta shkarkojnë Presidentin Trump që nga momenti kur ai mori detyrën, dhe se faktet e mbledhura prej tyre nuk përputhen me akuzat që ata kanë paraqitur.

“Gënjeshtra e madhe që po dëgjojmë është se rezultati justifikon mjetet e përdorura. Gënjeshtra është se ky proces i rremë është OK, pasi rreziku është shumë real, shumë urgjent dhe shumë i afërt. Gënjeshtra e madhe është se përfitimi politik është i ndershëm dhe i justifikuar. Historia ka treguar se kjo nuk është e vërtetë dhe është e rrezikshme”, tha Ligjvënësi republikan Doug Collins.

Debati mes ligjvënësve u zhvillua përgjithësisht sipas linjave partiake.

“E di se askush nuk është mbi ligjin. Por, ligji nuk ka asnjë kuptim nëse i akuzuari, qoftë dikush që ju hyn vjedhurazi në shtëpi, apo qoftë Presidenti, mundet të shkatërrojë evidencën, t’ua ndalojë dëshmitarëve të dëshmojnë dhe të refuzojë haptazi të bashkëpunojë me hetimin. A mundeni të përmendi qoftë edhe një person nga familja juaj apo komuniteti juaj që mund të veprojë kështu?”, tha Ligjvënësja demokrate Val Demings.

“Këtu nuk bëhet fjalë për Ukrainën. Faktet që mbështesin Presidentin janë: Zelenskiy tha se nuk iu bë presion; ukrainasit as nuk kishin dijeni në momentin e telefonatës që asistenca ishte pezulluar; dhe mbi të gjitha, nuk bënë asgjë në shkëmbim të lëvrimit të asistencës. Këtu bëhet fjalë për një fakt themelor. Demokratët nuk e kanë pranuar kurrë vullnetin e popullit amerikan”, tha Ligjvënësi republikan Jim Jordan.

Pas miratimit të akuzave nga komisioni, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë javën e ardhshme.

Nëse miratohet me votë, çështja do t’i kalojë për një proces gjyqësor Senatit me shumicë republikane. Të mërkurën, kreu i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, tha se gjyqi do të fillojë muajin e ardhshëm.

Një dënim në Senat do të çonte në heqjen nga detyra të Presidentit Trump. Kjo megjithatë nuk ka gjasa të ndodhë pasi do të duhej që të paktën 20 senatorë republikanë të mbështesnin demokratët për të arritur pragun prej 67 senatorësh, nga 100 që ka gjithsej Senati amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG