Lidhje

Forumi i OKB-së kërkon zgjidhje për njerëzit e zhvendosur.


Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, po mban forumin e parë të saj në një përpjekje për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare për dhjetëra miliona njerëz të zhvendosur nga vendet e tyre si pasojë e luftës, varfërisë, shtypjes si dhe faktorëve të tjerë. Forumi Botëror i Refugjatëve, që nisi punimet të hënën deri më 18 dhjetor në Gjenevë do të bëjë bashkë udhëheqës të qeverive, biznesit e shoqërisë civile në një përpjekje për të gjetur zgjidhje për shifrat e pashembullta të njerëzve të zhvendosur brenda vende të tyre ose jashtë. Sipas OKB-së bëhet fjalë për më shumë se 70 milionë njerëz. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke na sjell më shumë detaje.

Shumica e njerëzve të zhvendosur ndodhen në vendin e tyre, por rreth 25 milionë janë larguar përtej kufirit. Vendi që pret më shumë refugjatë, rreth 3.5 milionë është Turqia.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është mes udhëheqësve politikë pjesëmarrës në forumin e Gjenevës.

"Sigurisht që jemi të kënaqur që Presidenti Erdogan do të marrë pjesë në këtë konferencë, udhëheqësia e tij është mjaft e rëndësishme”, thotë Gillian Triggs, e zyrës së UNHCR-së.

Ndërsa luftës në Siri po i vjen fundi, shumë sirianë po kthehen në shtëpi pavarësisht pasigurisë.

"Dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur, po kthehen në ato zona që ata besojnë se janë të sigurta, në mënyrë që të rindërtojnë jetën. Ata po kthehen në pronat dhe shtëpitë e tyre dhe po shohin se cilat janë mundësitë për arsimim e të tjera si këto”, shton më tej Gillian Triggs.

Tetë vite luftë civile në Siri kanë shpërngulur 13 milionë njerëz. Dyzet vite luftë në Afganistan kanë bërë që njerëzit e zhvendosur nga ky vend, të jenë popullsia më e privuar në botë nga të drejtat e tyre.

"Disa njerëz kërkojnë mundësi më të mira ekonomike ndërsa të tjerë po largohen për shkak të dhunës së tmerrshme ndaj tyre", thotë Filippo Grandi, Komisioneri I Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët.

Qeveritë e Turqisë, Jordanisë, Libanit, Pakistanit dhe Gjermanisë si dhe vende të tjera që kanë pranuar një numër të madh emigrantësh, ndodhen tashmë nën presionin për t’i detyruar ata të largohen. Emigracioni ishte një nga çështjet që e shtyu Britaninë të largohet nga Bashkimi Evropian. Administrata amerikane ka vendosur kontrolle të ashpra kufitare për të ndaluar fluksin e emigrantëve, përfshirë ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre si dhe deportimet.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët thotë se një çështje e tillë duhet zgjidhur në nivel ndërkombëtar.

"Ne jemi gati t’i ofrojmë ndihmë administratës amerikane në trajtimin e kësaj çështjeje, në mënyrë që atyre që kërkojnë azil në SHBA t'u mundësohet një seancë gjyqësore e drejtë dhe që fëmijët të mos ndahen nga prindërit", thotë Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët.

Rreth 3 mijë vetë përfshirë krerë shtetesh dhe anëtarë të kabineteve qeveritare janë pjesëmarrës në forumin OKB-së për të diskutuar problemet që kanë detyruar me miliona njerëz në vende si Siria, Afganistani, Mianmari, Somalia, Sudani i Jugut dhe Venezuela të largohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG