Lidhje

Studimi në Kosovë: Merkel më e preferuara, SHBA partneri kryesor


Një studim i Institutit të Prishtinës për Studime Politike, i publikuar të martën, nxjerr në pah se qytetarët e Kosovës i shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, si tri vendet partnere kryesore ndërsa kancelaren gjermane, Angela Merkel si udhëheqësen më të preferuar.

Këto pohime janë pjesë e anketës së realizuar nga ky institut, lidhur me “Politikat Ndërkombëtare dhe Dialogun Kosovë-Serbi”.

Studimi në Kosovë: Merkel më e preferuara, SHBA partneri kryesor
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:51 0:00

Hulumtimi është zhvilluar në 38 komuna të Kosovës me 1 mijë e 200 qytetarë, prej tyre 800 shqiptarë, 200 të komunitet serb dhe 200 të komuniteteve tjera.

Hartuesi i këtij raporti, Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, tha se synim i studimit ishte për të parë se si e shohin qytetarët e Kosovës politikën e jashtme të Kosovës por edhe të ardhmen brenda sistemit ndërkombëtar, që është në një proces të ndryshimit të vazhdueshëm dhe shumë të shpejtë.

“Gjermania i prinë listës në pyetjen se kush duhet të jetë partneri i preferuar ekonomik me 39 për qind. Tek pyetja për liderët, prapë është kancelarja gjermane Angela Merkel ajo që ka marr përqindjen më të madhe, 63 për qind, duke lënë prapa presidentin amerikan Donald Trump me 15 për qind dhe 10 për qind për presidentin turk Rexhep Taip Erdogan. Ndërsa në anën tjetër, brenda komuniteti serb ka rezultate ndryshe, ku presidenti rus, Vladimir Putin është lideri më i preferuar me diku rreth 73 për qind”, tha zoti Berisha.

“Ajo çka është interesante në këtë pyetje është që presidenti amerikan, Donald Trump ka 15 për qind ndërsa në pyetje tjera ku kemi trajtuar shtetet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka përqindje shumë të lartë dhe zakonisht është e para ose e dyta. Në këtë kuadër ka një mospërputhje me përqindje ndërmjet shtetit si shtet dhe liderit, që besoj se është shumë interesante”, tha zoti Berisha.

“Gjithashtu është një përqindje relativisht e madhe që kanë zgjedhur presidentin turk Erdogan dhe disa prej komunave kryesore ku ky president ka pasur përzgjedhje më të lartë janë komuna e Mamushës, Prizrenit, Vushtrrisë dhe Fushë Kosovës”, tha Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Raporti nxjerr në pah se qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta shohin NATO-n si organizatën më të rëndësishme, që ofron siguri për vendin.

“NATO prin bindshëm me diku rreth 60 për qind ndërkaq Bashkimi Evropian është i dyti me pak më poshtë se 20 për qind. Sidoqoftë në pyetje tjera, Bashkimi Evropian ka pasur një përqindje pozitive, do të thotë kur i kemi pyetur qytetarët se si e vlerësoni qasjen e BE-së karshi Kosovës sot, shumica absolute e ka vlerësuar si qasje pozitive”, tha zoti Berisha.

Raporti vë në pah se tri shtetet kryesore që qytetarët e Kosovës i kanë parë si partnerët kryesorë në arenën ndërkombëtare janë SHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Vendet fqinje, të rajonit të Ballkanit Perëndimor nuk shihen si partnerë ekonomik.

Raporti nxjerr në pah edhe pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës me politikën e jashtme të Kosovës dhe përfaqësimin e saj në arenën ndërkombëtare.

“Mbi 30 për qind besojnë se pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare në pesë vitet e fundit është dobësuar dhe sipas qytetarëve kjo ka ardhur si pasojë e qeverisjes, fushatës ndërkombëtare të Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës dhe si pasojë e ndryshimit të politikës ndërkombëtare në përgjithësi”.

“51 për qind besojnë se Kosova është dobësuar nga fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, një fushatë që ka filluar në vitin 2017, tha zoti Berisha.

“Kur i kemi pyetur qytetarët e Kosovës se a është e domosdoshme të njihet nga Serbia që Kosova të mbijetoj si shtet në të ardhmen e largët, rreth 76 për qind e tyre kanë deklaruar që jo, do të thotë që njohja nga Serbia nuk është një proces që i duhet Kosovës për të mbijetuar si shtet në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Profesori i shkencave politike, Armend Muja tha se rezultatet e këtij hulumtimi nxorën rezultate interesante dhe se sipas tij përzgjedhja e kancelares Angela Merkel si politikane më e preferuar ka qenë normale për shkak të ndikimit të saj në rajon.

“(Angela) Merkel shihet si personi më me influencë jo vetëm në Kosovë por shihet edhe në Ballkanin perëndimor. Sa i përket (Donald) Trump, zakonisht Kosova ka qenë një vend dhe Shqipëria kohë pas kohe ku në një farë mënyrë ku shkalla e pranueshmërisë së presidentëve amerikan ka qenë më e lartë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë unë po e shoh që ka pas një rënie, një rënie të saj, si duket ka edhe kontraverza mjaft ndërmjet Trumpit edhe ai afeksioni i Kosovës natyrisht lidhet pak me presidentin Clinton dhe zotin Joe Biden që kanë qenë të Partisë Demokratike”, tha zoti Muja.

Profesori Muja thotë se hulumtimi tregon atë që tashmë dihet, dallimet e mëdha etnike në Kosovë, sa i përket pikëpamjeve të qytetarëve.

“Shqiptarët e shohin Merkelin, serbët e shohin Putinin si liderin më të preferuar, kjo është realitet. Tjetra është se shqiptarët e shohin Bashkimin Evropian si mik, serbët kanë më të tepër rezerva”, tha zoti Muja.

Raporti i Institutit të Prishtinës për Studime Politike ka matur edhe disponimin e qytetarëve lidhur me pritshmërinë e tyre për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë, ku pak qytetarë besojnë se një marrëveshje e tillë mund të arrihet në vitin 2020, ndërsa një numër më i madh shpresojnë se një gjë e tillë do të mund të arrihet brenda një periudhe 3 vjeçare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG