Lidhje

Vlorë, një vit burg për pronarin që sulmoi turistët


Gjykata e Faktit në Vlorë dënoi të martën me një vit burg Mihal Kokëdhimën, i cili u gjet fajtor për dhunën ndaj një grupi turistësh të huaj dhe shoqëruesve shqiptarë.

Kokëdhima ishte akuzuar nga Prokuroia e Vlorës për tre vepra penale "shkatërrim të pronës", “dëmtime të tjera me dashje" dhe "kanosje" dhe ndodhet në paraburgimin e Vlorës. Sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë Mihal Kokëdhima do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit, ku do të përllogaritet edhe paraburgimi.

Incidenti me një familje turistësh nga Spanja dhe shoqëruesit shqiptarë ndodhi mesin e muajit gusht në Bar Restorant “Panorma”, në Porto Palermo, një zonë turistike në rivierën shqiptare.

Sipas dëshmive në polici, familja spanjolle dhe shoqëruesit shqiptarë reduktuan porosinë për ushqim gjatë drekës në restorant, por u përballën me reagimin e dhunshëm të pronarit. Incidenti u shkallëzua kur grupi i turistëve dhe shoqëruesit shqiptarë u futën në makinë për t'u larguar pa kryer pagesën e faturës dhe pronari Kokëdhima u var në pjesën e përparme te makinës duke goditur xhamin me grushta dhe duke e thyer, ndërkohë që automjeti përshkoi rreth 3 km, nga Porto Palermo në Qeparo. Ndërhyrja e Policisë së Sarandës ka shuar incidentin i cili u regjistrua nga brenda makinës në një video që u publikua në rrjetet sociale duke shkaktuar regime të forta në Shqipëri dhe më gjerë.

Pas incidentit autoritetet thanë se Bar Restorant “Panorma” ishte ndërtuar pa leje në zonën buzë detit dhe Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit ndërhyri duke e rrafshuar objektin. Ndërhyrja e autoriteteve ngjalli reagime për bazën ligjore të ndjekur në prishjen e objektit që ndodhej në proces legalizimi, por edhe pikëpyetje për një seri institucionesh përgjegjëse që nuk kishin vepruar më parë për prishjen e ndërtimit pa leje që funksiononte prej shumë vitesh si njësi biznesi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG