Qyteti gjysmë-autonom i Hong Kongut, njihet për shfaqjet e mrekullueshme të fishekzjarreve natën e vitit të ri. Spektakli çdo vit ka tërhequr një numër të madh turistësh. Por tradita do të thyhet sivjet. Hong Kongu po përballet me një situatë të paqëndrueshme prej gjashtë muajsh, me protestat që fillimisht kishin si kërkesë anulimin e një ligji ekstradimesh. Tani protestuesit kërkojnë më shumë liri dhe demokraci. Pikërisht për shkaqe sigurie, u mor vendimi që shfaqja e fishekzjarreve për vitin 2020 të anulohet, diçka që i zhgënjeu turistët.
Viti 2020 nuk do ta gjejë të ndriçuar me fishekzjarre qiellin mbi Hong Kong.
Qyteti që njihet për spektaklin e mrekullueshëm të fishekzjarreve, anuloi shfaqjen kryesore të ceremonisë së pritjes së vitit të ri.
Vendimi u tha se u mor për shkaqe sigurie, pasi prej gjashtë muajsh Hong Kongu ndodhet në një situatë të paqëndrueshme nga protestat që filluan kundër një ligji ekstradimesh, demonstrata që po vazhdojnë me kërkesën për më shumë liri dhe demokraci.
Anulimi i spektaklit të shumëpritur, më së shumti preku vizitorët të cilët shprehen të zhgënjyer ndonëse e kuptojnë situatën.
“Si turist jam paksa i mërzitur sepse njerëzit presin të festojnë, por e kuptoj vendimin. Nëse është në pyetje siguria e banorëve, nuk ka problem. Më mire të shtyhet ose anulohet”, thotë Jose Gadin, turist nga Filipinet.
Çdo 31 janar porti Victoria mbushet me banorë dhe turistë nga mbarë bota. Numërimi mbrapsht deri në fillimin e vitit të ri, transmetohet në mbarë botën.
Por protestat në ish koloninë britanike shkatërruan ekonominë dhe tregtinë, pasi muajt e fundit shumë ngjarje kulturore e sportive janë anuluar.
“Mendoj se nuk është diçka e mirë për turizmin. Do të ndikojë te vizitorët, por edhe tek banorët të cilët janë mësuar që çdo vit të shohin fishekzjarret. Protestuesit nuk do të preken. Ata besoj se do të vazhdojnë protestat”, tha Lucia, turiste nga Argjentina.
“Jam i zhgënjyer që nuk do të ketë fishekzjarre, por e kuptoj sepse tani në Hong Kong po ndodhin shumë gjëra. Rinia po kërkon të ardhme më të mire, prandaj u janë bashkuar protestave. I kuptoj protestat e tyre. Prandaj mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të anulohen fishekzjarret” thotë Hatsuda Munehisa, banor i Hong Kongut.
Fishekzjarret e Hong Kongut janë zëvendësuar me shfaqjen e titulluar “simfonia e dritave”, një shfaqje multimediale që do të ndriçojë rrokaqiejt më të mëdhenj, ndërsa fasada e një qendre kulturore do të shndërrohet në orë gjigante, ku edhe do të bëhet numërimi deri në fillim të vitit të ri.
Facebook Forum