Lidhje

Francë, vazhdon greva kundër reformës në sistemin e pensioneve


Parisi ka hyrë në ditën e tretë të një greve që lidhet me një reformë në ligjin e pensioneve. Sistemi i metrove e trenave në kryeqytetin francez vazhdon të jetë i bllokuar edhe pas një dite protestash mbarëkombëtare.

Por ndryshe nga sa shpresonin sindikatat franceze dështuan të siguronin një mbështetje masive me të cilën synonin t’i bënin presion Presidentit Emmanuel Macron për të hequr dorë nga reformën në sistemin e pensioneve. Megjithatë sindikatat thanë se greva nuk do të ndalet edhe gjatë periudhës së Krishtëlindjes.

Rreth 615 mijë vetë në mbarë vendin iu përgjigjën thirrjes së drejtuesve të sindikatave për të marshuar ditën e martë sipas një njoftimi të ministrisë së brendshme, një rënie e ndjeshme krahasuar me ditën e parë të grevës (5 dhjetor) që mblodhi 806 mijë vetë. Numri më i madh i protestuesve u regjistrua në Paris.

Sindikatat franceze kundërshtojnë planet e zotit Macron për reformë në sistemin e pensioneve që nxit francezët të punojnë deri në 64 vjeç, ndërsa mosha ligjore për pension është 62 vjeç.

Sindikatat dhe presidenti Macron shpresojnë për një marrëveshje përpara Krishtlindjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG