Lidhje

Brexit, prova e parë për Johnson pas fitores në zgjedhje


Ligjvënësit britanikë do të zhvillojnë sot (të premten) votimin e parë të rëndësishëm për projektligjin e Kryeministrit Boris Johnson që parashikon shkëputjen nga BE-ja. Gjasat janë të mëdha që parlamenti i ri i vendit i kontrolluar tashmë nga konservatorët ta miratojë atë.

Votimi në parim mbi marrëveshjen e shkëputjes do ta fusë Britaninë në rrjedhën e duhur në mënyrë që të shkëputet nga Bashkimi Evropian më 31 janar. Ky ishte premtimi kryesor i fushatës së zotit Johnson, i cili fitoi një shumicë të fortë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën javën e kaluar.

Përpjekjet e mëparshme për në miratuar marrëveshjet e shkëputjes nga BE-ja në parlament kanë dështuar. Ligjvënësit kundërshtonit pjesë të marrëveshjeve dhe kërkonin të kishin një zë më të madh në këtë proces. Por fitorja e zotit Johnson i jep atij fuqinë ta zgjidhë çështjen sipas kushteve të tij.

Sipas projektligjit, Britania duhet të largohet nga BE-ja më 31 janar dhe duhet të përfundojë bisedimet tregtare me bllokun deri në fund të vitit 2020. Ekspertët e tregtisë dhe zyrtarët e BE-së thonë se arritja e një marrëveshje për tregtinë së lirë brenda 11 muajve do të jetë e vështirë, por zoti Johnson këmbëngul se ai nuk do të bjerë dakort për shtyrje të tjera. Ndërkohë në projektligj janë bërë ndryshime që pengojnë ministrat që të zgjasin periudhën e tranzicionit nga BE-ja.

Kjo gjë ka ndezur kambanat e alarmit tek bizneset, që frikësohen se vendi do të përballet me një Brexit "pa marrëveshje" në fillim të vitit 2021.

Projektligji pritet të miratohet përfundimish në janar, përpara afatit të parashikuar për shkëputjen e Britanisë nga blloku, 31 janarit.

Marrëveshja e divorcit duhet gjithashtu të ratifikohet nga Parlamenti Evropian. Nënpresidenti i Parlamentit Evropian Pedro Silva Pereira ka thënë se pritshmëritë janë që kjo të ndodhë deri më 29 janar.

Pas Brexit-it priten shumë pak ndryshime të menjëhershme. Defakto Britani do të vazhdojë të jetë anëtare e BE-së gjatë periudhës 11-mujore të tranzicionit që përfundon në dhjetor 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG