Lidhje

Shpërthim tritoli në makinën e Prokurorit të Vlorës


Një shpërthim tritoli dëmtoi mëngjesin e së shtunës makinën e prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi, e cila ndodhej e parkuar në lagjen “29 nëntori”, në Vlorë.

Policia tha se nga shpërthimi janë shënuar dëme materiale. Burimet hetimore pohuan se makina e prokurorit ishte parkuar para banesës ku ai jetonte me qera. Hetimet po përfshijnë edhe sekuestrimin e kamerave në zonën përreth, për të zbuluar autorët.

Sipas burimeve të Prokurorisë së Vlorë,s vitet e fundit Prokurori Albert Kuliçi ka hetuar disa nga çështjet e rëndësishme të lidhura me krime ekonomike dhe financiare, përfshirë ato të tjetërsimit të pronave në zonën bregdetare të Karaburunit, koncesionin e parkingjeve në Vlorë, ku u morën të pandehur edhe ish zyrtarët e lartë të Bashkisë së Vlorës, sekuestro ndërtimesh me shkelje ligjore, etj.

Prokurori i Vlorës Albert Kuliçi nuk ka dalë ende në procesin e vetingut për njerëzit e drejtësisë, që po kryhet në Shqipëri. Kryetari i Gjykatës së Vlorës Skënder Haluci foli për gazetarët pas incidentit duke e vlerësuar prokurorin Kuliçi si “ një nga prokurorët më të mirë në Shqipëri që punonte me pasion".

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e dënoi sulmin ndaj prokurorit dhe kërkoi ndëshkimin e autorëve. “Dënoj me forcë sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi! Kërkohet hetim dhe ndëshkim për autorët! Askush të mos guxojë të verë dorë ndaj njerëzve të ligjit” - shkroi zoti Meta në rrjetet sociale.

Për ngjarjen reagoi edhe Partia Demokratike, e cila deklaroi se është thellësisht e shqetësuar për sulmin për shkak të detyrës së tij ndaj prokurorit të Vlorës, Albert Kuliçi.

“Akte të tilla mafioze kërkojnë angazhimim e menjëhershëm dhe energjik të organeve ligjzbatuese për vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të kësaj ngjarje. Ndëshkimi ndaj tyre duhet të jetë shembullor dhe i shpejtë” - deklaroi Partia Demokratike. - Lufta ndaj krimit të organizuar, dhe veçanërisht promovimit dhe mbështetjes politike ndaj tyre, është prioritet kombëtar”.

Partia Demokratike shprehu mbështetje për trupën e prokurorëve dhe për familjet e tyre. “Kemi qenë dhe do të mbetemi përkrah çdo prokurori të ndershëm që lufton krimin, pavarësisht mbështetjes që segmete të politikës i japin shpesh kriminelëve, duke i veshur me pushtet” - deklaroi Partia Demokratike.

“Janë më shumë se 4 milionë të sekuestruara me masa provizore. Është e vetmja pistë, pasi sulmi është për shkak të profesionit të tij. Kam besim tek Policia dhe Prokuroria se kjo ngjarje do të zbardhet”, tha Haluci per gazetarët.

I pyetur nga gazetarët se a kanë lidhje sulmet me ngjarje konkrete zoti Haluci tha “se kanë lidhje konkrete dhe jo konkrete me ngjarjet që ndodhin në Vlorë, pasi çështja e pronave është më e nxehta që Qarkun e Vlorës”.

Pak kohë më parë një tjetër prokuror, ai i Durrësit, Arjan Ndoja, u qëllua me armë zjarri në automjetin me te cilin udhetonte. Nga atentati shoferi i Prokurorit humbi jetën dhe prokurori Ndoja mori plagë jashtë rrezikut për jetën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG