Lidhje

Atmosfera e festave në kopshtin botanik


Atmosfera e Krishtlindjes është pasqyruar përsëri në kopshtin botanik në kryeqytetin amerikan. Ekspozita e këtij viti nxjerr në pah bukurinë e kopshteve publike të Amerikës. Në këtë ekspozitë, mes të tjerash, mund të gjesh kopshte në miniaturë, shatërvanë dhe skulptura të ndërtuara nga materiale me bazë bimore. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Deborah Block sjell nga afër kopshtet e larmishme dhe trenat lodra që gjarpërojnë mes peisazheve në miniaturë.

Thomas, treni personazh i librave për fëmijë, tërheq vëmendjen e vizitorëve si Patricia Kim.

“Trenat duhen parë sepse janë diçka magjike dhe speciale për fëmijët”, thotë zonja Kim.

Në ekspozitë mund të gjesh që nga parajsat tropikale, deri tek peisazhet e shkretëtirës. Tingujt e këmbanave kanë influencuar në emërtimin e “Kullës Këngëtare” në Florida. Në këtë “Piramidë Shkencore” në kopshtin e Denverit, vizitorët mund të mësojnë për bimët. Ato janë ndërtuar me mbi 70 lloje të ndryshme bimësh, thotë Nick Nelson i kopshtit botanik.

“Në disa raste përdoren gjethe ose lëvore pemësh për muret dhe pastaj shkopinj të ndryshëm dhe boçe lisi për zbukurime përreth dritareve dhe dyerve”, thotë ai.

Për Fabian Winkler-in, kjo është hera e parë që viziton panairin.

“Jam i befasuar nga gjitha këto ndërtime me bazë bimore dhe se si të gjitha kopshtet botanike nga mbarë vendi kontribuojnë për këtë ekspozitë. Është vërtet shumë bukur”, thotë ai.

Elementi më i ri i panairit është kjo shtëpi në miniaturë e huazuar nga “Biltmore Estate” në Karolinën e Veriut. Kjo shtëpi me kopshte u ndërtua në fund të viteve 1800 dhe sot tërheq shumë turistë.

“Është prona më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në Amerikë, por edhe një model shumë mbresëlënës që mori mbi 2500 orë pune për ta ndërtuar”, thotë Nick Nelson.

Në mes të panairit gjendet edhe pema e Krishtlindjes tetë metra e lartë. Mijëra shkurre shumëngjyrëshe të njohura si lulja e Krishtlindjes, rrethojnë monumentet e kryeqytetit amerikan po ashtu të ndërtuara me materiale bimore.

“Kemi 13 monumente të ndryshme nga kryeqyteti amerikan. Kemi përshembull ndërtesën e Kongresit, monumentin e Uashingtonit, Shtëpinë e Bardhë dhe Librarinë e Kongresit”, thotë arkitekti Nick Nelson.

Vizitorja Patricia Kim u mahnit nga imagjinata pas ekspozitës në miniaturë.

“Mesazhi kryesor është se gjithçka është organike dhe e bërë nga diçka botanike. Gjithka është e gjallë dhe i jep një kuptim të ri shprehjes se fryma e Krishtlindjes është e gjallë”, thotë ajo.

Kjo frymë është e gjallë për të gjithë gjatë sezonit të festave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG