Lidhje

Shkup, apeli rikthen “Titanik 2” në shkallë të parë


Gjykata e Apelit në Shkup shfuqizoi të hënën vendimin e gjykatës Penale për dënimin me burg të ish-Shefit të Shërbimit Sekret maqedonas Sasho Mijallkov, të kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi dhe të disa ish-anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) lidhur me akuzat për manipulime në procesin zgjedhor. Apeli kërkon kthimin e procesit gjyqësor nga e para në gjykatën Penale.

Gjykata e shkallës së parë pati dënuar me 3 vjet burg Sasho Mijallkovin, me 3 vjet e dy muaj Menduh Thaçin nën akuzën e ushtrimit të ndikimit tek KSHZ-ja, me 4 vjet e 6 muaj Bedredin Ibrahimin e KSHZ-së, i cili ndodhej në atë post si përfaqësues i PDSH-së, si dhe me nga 3 vjet burg, tre ish-anëtarë të KSHZ-së nga partia VMRO-DPMNE, Vllatko Sajkovski, Sasho Sërcev dhe Elizabeta Stefanovska.

Por gjykata e Apelit vlerësoi se janë bërë shkelje në procedura nga gjykata e shkallës së parë ndaj dhe e cilësoi vendimin si “joligjor dhe jo të drejtë”.

Rasti i njohur si “Titanik 2” ka të bëjë me manipulimin e rezultateve në zgjedhjet lokale të vitit 2013, që u zbulua pas publikimit të skandalit të bisedave telefonike nga opozita e kohës, LSDM.

Rastin e procedoi Prokuroria e Posaçme. Sipas aktakuzës, përkatësisht vendimit gjyqësor, kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi i kërkonte Bedredin Ibrahimit në KSHZ që të votonte për prishjen e procesit në një vendvotim në qytetin e Strumicës, në dobi të kandidatit të VMRO-DPMNE-së e në dëm të kandidatit të atëhershëm për kryetar komune, Zoran Zaev.

Në bisedat telefonike, të cilat në opinionin publik u quajtën “bomba” dëgjohet z. Mijallkov që i kërkon z. Thaçi “një shërbim” dhe ky i fundit duke i shprehur besnikëri “deri në vdekje”.

Sasho Mijallkov ndodhet në arrest shtëpie teksa akuzohet edhe për disa vepra të tjera penale. Për Menduh Thaçi si dhe për tre përfaqësuesit e VMRO-së gjykata pati vendosur “masën e kujdesit”, ndërsa Bedredin Ibrahimi u la në arrest shtëpie, pas qëndrimit për pak javë në paraburgim.

Gjykata Penale tha se do të presë të njihet me hollësitë për të marrë më pas një vendim lidhur me vërejtjet e gjykatës së Apelit.

Ndërkaq aktivistët që vëzhgojnë proceset dhe reformën në sistemin gjyqësor shprehën zhgënjim me zvarritjen e rasteve si dhe mosdënimin e politikanëve e personave publikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG