Lidhje

Filmi “Dark Waters”, alarm mbi rrezikun nga kimikatet


Filmi “Dark Waters” i producentit Todd Haynes rrëfen historinë e avokatit të korporatave Rob Billot, ndërsa ai heton një periudhë 20-vjeçare me përhapje sëmundjesh, ngordhje të bagëtive dhe vdekje të njerëzve në një komunitet fermerësh në Virxhinian Perëndimore. Në film, problemet e shëndetit shfaqen pasi kompania DuPont hedh kimikate toksike në ujërat lokale. I bazuar në një histori të vërtetë, filmi synon të argëtojë por edhe të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet nga kimikatet e rrezikshme ndaj shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

Pas një hezitimi fillestar, avokati i korporatave Rob Billot, i luajtur nga aktori Mark Ruffalo, bie dakort të hetojë pretendimet e fermerit Wilbur Tennant, se hedhja e mbeturinave kimike të kompanisë DuPont në një përrua pranë tokës së tij, po i vret bagëtinë. Zoti Billot ishte punësuar fillimisht nga një firmë ligjore për të mbrojtur korporata si DuPont. Ai në vazhdim u kthye kundër kësaj korporate gjigande.

Zoti Billot vërtetoi se PFOA-të, një lloj kimikati i prodhuar nga njeriu, shkaktoi nivele të rritura të rrezikut kancerogjen, sëmundje veshkash, çrregullime tiroidale dhe të sistemit imunitar. Ai mblodhi prova nëpërmjet deponimeve të punonjësve të fabrikës, nga të dhënat publike dhe një studim epidemiologjik në Parkerburg, të Virxhinias Perëndimore.

“A i ka lexuar ndonjëri provat që ka mbledhur ky burrë? Neglizhencën trishtuese? Korrupsionin? Lexojeni! Ne duhej ta kishim vënë me shpatulla pas murit korporatën DuPont! Të gjithë ne! Biznesi amerikan është shumë më i mirë se kaq”.

Tim Robbins luan rolin e Tom Terp, kryetar dhe partner menaxhues në firmën ligjore “Taft”.

“Kultura e korporatave ka tendencën të vetëmbrohet dhe Tomi është një person që guxoi të shkojë kundër rrymës”, tregon aktori Tim Robbins.

Pamje nga “Right Livelihood Foundation”

Një artikull i 2016-tës në gazetën New York Times e quan zotin Billot “avokati që u shndërrua në makthin më të keq të korporatës DuPont”. Puna e tij kërkimore solli ndërgjegjësim mbarëbotëror për rreziqet nga kimikate si PFOA. Avokati Billot thotë se e kanë ditur prej kohësh që kanë qenë materiale të rrezikshme.

“Në 2017-tën u arrit një marrëveshje me DuPont-in për paditë e gati 3500 personave. Ka njerëz të tjerë që po zbulojnë se ishin ekspozuar, se kanë kancer. Raste të reja po shfaqen në mbarë vendin. Nuk duhet të ishim shfrytëzuar të gjithë si kavie laboratori”, thotë avokati Billot.

Mark Ruffalo, interpreton në rolin e Rob Billot dhe drejtoi filmin “Dark Waters”. Ai është gjithashtu aktivist për vendosjen e rregullave ndaj “kimikateve të përjetshme”, si PFOA-të dhe PFAS-të.

“Mendoj se kompanitë prodhuese 3M dhe DuPont duhet të marrin një lloj përgjegjësie për çfarë kanë bërë. E nxorrën me vetëdije në treg këtë produkt; duke ditur se shkakton kancer, defekte në lindje, sëmundje endokrinale”, thotë aktori Mark Ruffalo.

Në filmin e tij dokumentar “Farenheit 11/9”, producenti Michael Moore hodhi dritë mbi politikat që sollën ndotjen e ujërave në komunitete si Flint, në shtetin Miçigan.

“Mendoj që rrëfimi i kësaj historie është mënyra për të dalë mbi politikën dhe për t’i bërë njerëzit të rimarrin në konsideratë çështjen bazuar mbi kontaktet njerëzore”, thotë aktori Mark Ruffalo.

Ndërkohë, vazhdon beteja e Rob Billotit ndaj kompanisë DuPont. Megjithëse DuPont nuk ka marrë përgjegjësinë se ka përdorur me vetëdije kimikate të rrezikshme, kompania ka njoftuar se po eliminon përdorimin e PFAS-ve, për të cilat ekspertët thonë se mbeten në mjedis dhe në trupin e njeriut.

XS
SM
MD
LG