Lidhje

Ambasadori Grenell takoi përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës


Lidhja Demokratike e Kosovës tha të premten së një delegacion i saj është takuar me ambasadorin Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të presidentit amerikan Donald Trump, për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi të kësaj partie, ambasadori Grenell inkurajoi delegacionin e Lidhjes Demokratike që të ruajë përkushtimin për rend dhe ligj dhe të marrë vendime të cilat e çojnë përpara dialogun me Serbinë.

Ambasadori Grenell, po ashtu, kërkoi nga delegacioni që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të përqendrohet në politikat që thellojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë vende pune për qytetarët e Kosovës. Delegacioni i Lidhjes Demokratike e njoftoi ambasadorin Grenell për përpjekjet që po bëhen për të arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë, thuhet në njoftim.

Takimi ndodhi në një periudhë kur Lidhja Demokratike dhe lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë rrugët e arritjes së një marrëveshjeje për formimin e qeverisë së re në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të takohen të hënën me 6 janar lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Negociatat e deritashme të kësaj lëvizjeje që doli e para dhe Lidhjes Demokratike nuk siguruan një marrëveshje, por të dyja palët kanë paralajmëruar se java që po vjen mund të jetë vendimtare për këtë çështje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG