Lidhje

Presidenti Trump paralajmëron Iranin


Turma masive u mblodhën të hënën në Teheran për të nderuar gjeneralin e lartë Qassem Soleimani, ndërsa personi që do ta zëvendësojë atë premtoi se do të hakmerrej për goditjen ajrore që shkaktoi vdekjen e tij dhe Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se do të godiste objektet kulurore iraniane, nëse Irani hakmerret.

Presidenti Trump foli me gazetarët në avionin presidencial të dielën vonë.

"Ata lejohen të përdorin bomba në anë të rrugës për të vrarë njerëzit tanë dhe ne nuk lejohemi të prekim objektet kulturore? Nuk funksionon kështu”, tha ai.

Sipas konventave të Gjenevës që përcaktojnë kufizimet ligjore për luftë, sulmi ndaj objekteve kulturore të një vendi tjetër është një krim lufte. Por Sekretari amerikan i Shetit, Mike Pompeo, i cili nuk e kritikoi komentin në Twitter të Presidentit Trump tha për ABC-në se:

"Ne (SHBA) do të veprojmë sipas ligjit e brenda sistemit. Çdo objektiv që godasim do të jetë një objektiv i ligjshëm dhe veprimet do të hartohet me një mision të vetëm, atë të mbrojtjes së popullit Amerikan".

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha në një letër për kolegët e saj demokratë se Dhoma do të votojë këtë javë për një rezlutë për kompetencat e luftës “për të kufizuar veprimet ushtarake të Presidentit lidhur me Iranin”.

"Ajo rikonfirmon përgjegjësitë mbikqyrëse të Kongresit, duke përcaktuar se nëse nuk ndërmerren hapa të tjera, veprimet ushtarake të administratës ndaj Iranit do të ndalen brenda 30 ditësh", shkruante zonja Pelosi.

Ajo e quajti goditjen ajrore të javës së kaluar “provokuese dhe disproporcionale” dhe tha se vinte në rrezik trupat amerikane dhe përshkallëzonte tensionet me Iranin.

Zoti Pompeo tha se goditja erdhi në momentin e duhur.

"Nuk kishte asnjë mosbesim mes udhëheqësve të lartë që kishin qasje tek të gjitha informacionet e zbulimit. Vlerësimi i tyre, bënte të qartë se ishte shumë më e rrezikshme të lejohej Soleimani të vazhdonte komplotet e tij, fushatën e tij të terrorit, sesa të ndërmerrnim veprimin që morëm javën e kaluar”.

Republikanët e mbrojtën vendimin e zotit Trump.

Udhëheqësi suprem iranian Ayatollah Ali Khamenei ka berë të ditur se "hakmarrja e Teheranit do të jetë e ashpër”. Këshilltari i tij i lartë ushtarak, gjeneral brigade Hossein Dehghan tha për rrjetin CNN se "me siguri përgjigja do të jetë ushtarake dhe kundër objekteve ushtarake".

Irani po mban tri ditë zie para varrimit të Soleimanit të martën.

XS
SM
MD
LG