Lidhje

PD: Kryebashkiaku i Mallakastrës fshehu dënimin në Greqi


Në Shqipëri Partia Demokratike deklaroi sot se ka të dhëna sipas të cilave kryetari socialist i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj ka fshehur të kaluarën e tij në formularët zyrtarë dorëzuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, në kuadër të të ashtuquajturit Ligj për dekriminalizimin. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Gazmend Bardhi, tha se kryebashkiaku dyshohet të ketë qenë i dënuar në Greqi. Nga ana e tij Ismailaj mohoi akuzat dhe u shpreh i hapur për çdo lloj verifikimi ndaj figurës së tij.

PD akuzon kryebashkiakun e Mallakastrës për të kaluar kriminale
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

Partia Demokratike drejtoi sot gishtin ndaj një tjetër kryebashkiaku socialist i cili sipas saj rezulton të ketë pasur një të shkuar kriminale. “Sipas të dhënave të mbledhura nga PD, Qerim Ismailaj, rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik. Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar në Greqi dhe më pas është dënuar dhe dëbuar në periudhën 1999-2000”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Partia Demokratike nuk dha ndonjë element shtesë se për çfarë sipas saj dyshohet të ketë qenë i dënuar kryetari i Bashkisë së Mallakastrës. Ky i fundit mohoi publikisht akuzat. “Unë jam i hapur ndaj çdo verifikimi të mundshëm. Unë punoj si kryetar dhe kam plotësuar formularin e dekriminalizimit”, tha për gazetarët kryebashkiaku Ismailaj, duke shtuar se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar

Por për zotin Bardhi “në fakt ky është një mashtrim. Ai njëlloj si Edi Rama e di mirë se ka të shkuar kriminale dhe se është i dënuar në shtetin grek. Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do të provojë për opinionin publik edhe zyrtarisht se Edi Rama i Mallakastrës ka të shkuar kriminale dhe se në bazë të ligjit të Dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik”.

Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e verifikimeve ndaj Ismailajt, ashtu si dhe në rastet e mëparshme. Pas denoncimeve publike të saj, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri u dorëhoq, në muajin gusht, pa mundur as të ulet në karriken e kryebashkiakut, pas u zbuluar një dënim i marrë në Itali. Po ashtu dhe kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku i cili rezistoi deri në momentet e fundit, kur pas verfikimit të të dhënave dhe nga Prokuroria, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin. Kajmaku madje është aktualisht në kërkim, pasi ndaj tij ka një urdhër arresti, për shkak se akuzohet të ketë firmosur akte zyrtare si kryebashkiak, ndërkohë që i ishte hequr mandati. Për rastin e Kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Mark Babani, burime nga Prokuroria, i shpjeguan “Zërit të Amerikës” se shumë shpejt pritet të mbërrijnë të gjitha materialet e kërkuara për të, nga autoritetet në Itali dhe Maqedoninë e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG