Lidhje

Kryesimi i OSBE-së, Rama: Vizita e parë në Ukrainë


Kryeministri shqiptar Edi Rama prezantoi sot në Vjenë përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e kësaj organizate gjatë kryesimit të saj nga Shqipëria përgjatë vitit 2020. Kriza në Ukrainë, promovimi i dialogut dhe angazhimi për zbatimin nga vendet anëtarë të parimeve bazë që janë në themel të OSBE-së janë disa nga pikat kryesore ku Shqipëria do të përqëndrohet.

Kryesimi i OSBE-së, Rama: Vizita e parë në Ukrainë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Ukraina, zona ku prej disa vitesh është përqëndruar vëmendja, jo vetëm e OSBE-së, pritet të jetë destinacioni i vizitës së parë të kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm shqiptar Edi Rama në cilësinë e kryetarit të radhës së OSBE-së.

“Në një kohë kur kriza në Ukrainë e përreth saj është sfida më urgjente e sigurisë në Evropë, kontributi unik që ka dhënë Misioni i Posaçëm i Monitorimit për të zbutur tensionet e nxitur paqen, stabilitetin dhe sigurinë është thelbësor. Edhe pse ka pasur sinjale inkurajuese që i përgëzojmë, rruga drejt paqes së qëndrueshme, siç të gjithë e dimë, mbetet e gjatë”, theksoi kryeministri në fjalën e tij përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.

Zoti Rama evitoi të hynte në detaje për këtë temë, ndërsa u pyet më pas në një konferecë për shtyp. Ai u shpreh se detyra si Kryetar i radhës është “të nxis sa më shumë të jetë e mundur që të ketë dialog dhe se si do të ecet përpara për të garantuar paqen”, duke theksuar se është i “angazhuar për të bërë më të mirën që kjo krizë të mos përshkallëzohet më tutje e nga ana tjetër të punohet për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Minsk-ut e cila është e njohur nga të dy palët. Vizita në Ukrainë pritet të pasohet nga ajo në Shtetet e Bashkuara dhe në Rusi.

Në fjalën e tij të prezantimit të përparësive të Shqipërisë, kryeministri Rama tha se parimet themelore të Helsinkit - respektimi i sovranitetit, integriteti territorial dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut - janë akoma sot një recetë e thjeshtë dhe efektive, e për këtë arsye dhe motoja e e kryesisë shqiptare të OSBE-së është zbatimi i angazhimeve nga vendet anëtare.

Kryetari i radhës i OSBE-së vuri theksin te nevoja e shfrytëzimit të mundësive të kësaj organizate, institucionet e së cilës “janë instrumente unike dhe të çmuara që shtojnë vlerë jo vetëm në OSBE, por për komunitetin e gjerë ndërkombëtar”, tha zoti Rama, ndërsa nënvizoi se “Nxitja e lirisë së shprehjes dhe medias dhe lufta kundër dhunës ndaj grave janë përparësi të menjëhershme, urgjente. Çuarja përpara e mirëqeverisjes është një tjetër sfidë, që, jam i sigurt, e ndiejnë të gjithë kolegët e mi dhe pres me padurim ta trajtoj gjatë një konference të nivelit të lartë kundër korrupsionit në Tiranë”

Po në Tiranë pritet të organizohet dhe një konferencë për luftën ndaj antisemitizmit, e cila sic u shpreh, nuk është thjesht përballje me përhapjen e antisemitizmit, por dhe me qëndrimin e frikshëm relativist ndaj sjelljes antisemite”. Ai theksoi rëndësinë për "një kundërpërgjigje ndaj rritjes së pamohueshme të krimeve të urrejtjes dhe gjuhës së urrejtjes në mbarë rajonin e OSBE-së. Nxitja e tolerancës dhe mosdiskriminimit do të jetë përparësi kyçe e kryesisë sonë”, nënvizoi ai duke shtuar se shpreson se të gjithë së bashku do të mund të formësojnë një përgjigje ndaj këtij fenomeni alarmues”.

Kjo është hera e parë që Shqipëria merr drejtimin e një organizate ndërkombëtare, aq më tepër të përmasave të OSBE-së e cila përfaqëson 57 shtete me mbi 1 miliard banorë. Kryeministri Rama foli për "një moment historik dhe të jashtëzakonshëm", duke theksuar se “vendit i është dashur një rrugë e gjatë për të mbërritur deri këtu”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG