Lidhje

Kiefi, një qytet fantazmë që dikur strehonte emigrantë ukrainas


Qyteti i vogël i Kief-it në Dakotën e Veriut u themelua nga emigrantët ukrainas më shumë se 100 vjet më parë. Dikur ishte një qytet i vogël me gjallëri, por sot është pothuajse i boshatisur. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Iryna Matviichuk vizitoi Kiefin dhe bisedoi me pasardhësit e kolonëve të parë.

Qyteti i Kiefit në veri të Dakotës së Veriut është i rrethuar me fusha dhe ferma të pafund. Dikur ishte një qytet i begatë, por sot në të jetojnë vetëm shtatë banorë. Rreth pesëdhjetë vjet më parë, këtu jetonte gjyshja e Devine Henriksonit dhe ai i kalonte pushimet verore në Kief.

"Ishte një komunitet i vogël, të gjithë e njihnin dhe e ndihmonin njëri-tjetrin. Një atmosferë ndryshe me njerëz që nuk flisnin anglisht, dhe të tjerë që përpiqeshin ti kuptonin ata."

Kief mori emrin e kryeqytetit ukrainas, nga kishin ardhur shumica e kolonëve të parë. Besohet se qytetin e kanë themeluar Anton dhe Khristina Bokovy. Çifti, së bashku me disa dhjetëra ukrainas të tjerë, kishin ardhur për t’iu larguar përndjekjes fetare. Dhe Dakota e Veriut ishte e kënaqur që u dha tokë atyre që ishin gati të vendoseshin këtu.

Banorja Audrey Voloshenko ka jetuar këtu tërë jetën. Por, megjithë historinë familjare dhe mbiemrin ukrainas, ajo di shumë pak për prejardhjen e saj.

"Nëna ime është gjermane dhe babai im rus ose ukrainas. Nuk e di saktësisht."

Ndër fqinjët e saj ka shumë pasardhës të tjerë të kolonëve të parë.

"Ischenkos, Schevchenkos, Karpenkos, Voloshenkos janë akoma këtu!"

Rreth 50 vjet më parë, në Kief jetonin më shumë se 300 njerëz. Sot, jetojnë vetëm shtatë vendas. Annie dhe Richard Helme e konsiderojnë veten gjermanë, megjithëse gjyshi i Richard-it erdhi këtu nga ish Perandoria Ruse.

"Babai im erdhi nga Gjermania, ai është një Helme nga Gjermania. Babai i tij hipi në një anije për në Odessa të Rusisë dhe erdhi këtu më 1902. Dhe më pas ndërtoi shtëpinë në vitin 1905, ai gjeti ca tokë këtu".

Vendasit e mbajnë mend kohën kur shumica e banorëve të Kiefit ishin fermerë. Kishte një numër të vogël kishash dhe dy shkolla. Qyteti u rrit falë afërsisë me një hekurudhë.

"Këtu vinte treni dhe kjo është arsyeja pse ata e quanin qytet rezervuar. Kishte një rezervuar të madh uji dhe lokomotiva e vjetër me avull ndalonte për tu furnizuar me ujë. Dhe për këtë arsye njerëzit u vendosën këtu."

Por lokomotivat u zëvendësuan me trena modernë, dhe ndalesa në Kief nuk ishte më e nevojshme. Në fillim u mbyll njëra prej shkollave, ku fëmijët mësonin rusisht dhe gjermanisht, mes lëndëve të tjera.

"Që kur shkolla u mbyll në vitin 1959, numri i banorëve filloi të pakësohej", thotë Annie Helme.

Të rinjtë u shpërngulën në qytete më të mëdha, dhe një nga një të gjitha bizneset u mbyllën ose u zhvendosën. Sot është vetëm një kishë që qëndron e hapur. Vendasve më së shumti u mungon dyqani ushqimor, sepse dyqani më i afërt tani është 80 kilometra larg. Sot Kiefi shpesh quhet një qytet fantazmë, por vendasit nuk mendojnë kështu.

"Arsyeja pse ata e quajnë atë qytet fantazmë është sepse nuk ka restorant, nuk ka pikë karburanti, klube, nuk ka vende biznesi", thotë Richard Helme.

"Por ka ende njerëz që jetojnë në qytet!", thotë Annie Helme.

Kiefi u themelua më shumë se 100 vjet më parë, por sot vetëm kisha që hap dyert e saj një herë në javë u kujton banorëve kohën kur ky ishte një qytet plotë gjallëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG