Lidhje

Shqipëria përparim në masat kundër pastrimit të parave


Shqipëria vlerësohet të ketë bërë përparim në zbatimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, sipas raportit të vlerësimit nga Moneyval, një organ monitorues i Këshillit të Evropës.

Raporti i përputhshmërisë, ka analizuar përparimin e vendit në trajtimin e mangësive teknike të identifikuara në raportin e fundit të vlerësimit të nxjerrë në vitin 2018 nga Moneyval, i cili vlerësoi efektivitetin e masave në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (LPP/LKFT) në Shqipëri dhe përputhshmërinë e tyre me Rekomandimet e dala nga Task Forca e Veprimit Financiar (FATF), duke e vendosur Shqipërinë në procedurë për përmirësimin e përputhshmërisë.

FATF-ja është një organizatë ndërqeveritare e themeluar në vitin 1989 me iniciativën e G7 për të zhvilluar politika për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. FATF-ja dhe organet e asociuara të saj, ku bën pjesë edhe Moneyval, monitoron progresin e shteteve anëtare në zbatimin e masave të nevojshme LPP/LKFT.

Në bazë të përparimit të vërejtur, Moneyval, ka rishikuar pozitivisht vlerësimin për 6 nga 40 rekomandimet e FATF-së, dhe sipas raportit, Shqipëria rezulton të jetë "në përputhje" në pesë rekomandime, "kryesisht në përputhje" me 28 prej tyre, mbetet "pjesërisht në përputhje" për pesë dhe "jo në përputhje" në vetëm një prej rekomandimeve.

Por pavarësisht përparimit të vërejtur, në raportin e fundit, Moneyval, vendosi që Shqipëria të mbetet në procedurë për përmirësimin e përputhshmërisë dhe do t’i duhet të vazhdojë të raportojë lidhur me përparimin e mëtejshëm për forcimin e zbatimit të masave të saj kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Aktualisht, Shqipëria është në proces shqyrtimi nga Task Forca e Veprimit Financiar, në Grupin e Vlerësimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (International Co-operation Revieë Group), i i cili bazuar në raportimin e kryer nga autoritetet shqiptare do të vendosë gjatë muajit shkurt të këtij viti nëse duhet të kryejë vlerësim më të thellë të mangësive strategjike dhe efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Vlerësimi nga ana e FTAF-së konsiderohet mjaft i rëndësishëm. Nëse kjo organizatë del në përfundimin se një vend nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm në trajtimin e mangësive, atëherë ajo del me një Deklaratë Publike, ku e rendit atë vend në ‘Listën Gri’ të shteteve që nuk zbatojnë masat ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, që do të thotë në listën e vendeve me rrezik të lartë. Një renditje e tillë ka pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti.

Këshilli i Evropës nëpërmjet Programit të përbashkët me BE-në "Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë"– « Veprimi Kundër Krimit Ekonomik në Shqipëri» ka mbështetur institucionet shqiptare në plotësimin e rekomandimeve të Moneyval dhe FATF-së dhe deklaron se do të vijojë bashkëpunimin për rrijen e efektivitetit në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG