Lidhje

Shkup, përkujtohet dita e Holokaustit


Dita botërore e përkujtimit të Holokausit u shënua edhe në Shkup, ku dikur ka pasur një komunitet hebrenjësh, të deportuar për në kampin e përqendrimit në Treblinka, prej nga askush nuk ishte kthyer më. Autoritetet qeveritare, diplomatë dhe shoqëria civile përkujtuan të hënën edhe në Shkup ditën e Holokaustit.

Gjatë një ceremonie përkujtimore në Akademinë maqedonase të Shkencave, Kryeministri i përkohshëm Oliver Spasovski tha se Holokasuti është krimi më i madh në historinë e njerëzimit.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut bashkëpunon nga afër me komunitetin hebre dhe me Qendrën përkujtimore të Holokaustit (në Shkup) në veçanti për edukimin, si themel për ruajtjen e memorjes kolektive historike mbi të keqen dhe përkujtimin e përhershëm ndaj viktimave”, tha z. Spasovski.

Kryeminstri maqedonas foli edhe angazhimet e qeverisë së këtushme mbi marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me përkujtimet e Holokaustit.

Folësit tjerë theksuan se Holokasuti paraqet një faqe të zezë në historinë e Evropës dhe se “kujtimet për viktimat nuk duhet asnjëherë të vyshken”.

Berta Romano Nikoliç, kryetare e komunitetit hebre në Maqedoninë e Veriut tha se është detyrim moral dhe njerëzor që të ngjallet mesazhi dhe të mos lejohet kurrë asnjë lloj forme e urrejtjes dhe intoleracës. “Vetëm përkujtimi dhe ndjeshmëria nuk e ndalojnë paraqitjen e sërishme të gjenocidit sidomos në kohëra të vështira dhe të turbullta nëse nuk mësojmë ta njohim atë të keqe”, u shpreh zonja Romano.

Autoritetet e kohës kishin dorëzuar mbi shtatë mijë hebrenj nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi për në kampet e Treblinkës dhe Aushvicit, në një periudhë kur Shkupi dhe një pjesë e madhe e territorit të Maqedonisë së sotme Veriore qeverisej nga pushteti bullgar.

Nga ana tjetër, disa shqiptarë kishin ndihmuar në fshehjen ose kalimin e një numri hebrenjësh nga Shkupi për në Shqipëri, sipas historianëve dhe njoftimeve të Institutit për Ruajtjen e Trashëgimisë së Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, lagja e hebrenjve nën kalanë e Shkupit ishte prishur nga autoritetet komuniste në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar me arësyetimin se shtëpitë ishin dëmtuar nga tërmeti i atyre viteve. Në këtë vend u ngrit para disa vitesh Muzeu u Holokaustit.

Sot vlerësohet se janë më pak se 200 pjesëtarë të komuniteti hebre në Maqedoninë e Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG