Lidhje

Gjyqi ndaj Presidentit, Senati kundër thirrjes së dëshmitarëve


Senati me shumicë republikane hodhi poshtë të premten një propozim të demokratëve për të thirrur dëshmitarë të rinj në gjyqin që synon shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Të hënën do të mbahen argumentet përmbyllëse të gjyqit në Senat, që do të pasohen nga një votim të mërkurën, gjatë të cilit Presidenti Trump pritet të lirohet nga akuzat për abuzim me detyrën dhe pengim të hetimeve që po kryente Kongresi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson sjell më shumë hollësi.

Demokratët u përpoqën, por dështuan. Ata kërkuan të thërrasin dëshmitarë të rinj, që do të mbështesnin argumentet e tyre lidhur me akuzat e ngritura ndaj Presidentit Trump për abuzim me pushtetin dhe pengim të përpjekjeve të Kongresit për të hetuar veprimet e tij.

"Ajo që ne po u kërkojmë të bëni në emër të popullit amerikan është e thjeshtë. Përdorni fuqinë tuaj të vetme për të zhvilluar një gjyq të drejtë. Merrni dokumentet që ata nuk pranuan t'ia japin Dhomës së Përfaqësuesve. Dëgjoni dëshmitarët që ata nuk i lejuan të flisnin para Dhomës së Përfaqësuesve, ashtu siç ka bërë ky organ ka bërë deri tani, në secilin gjyq për shkarkimin e një Presidenti. Ndihmoni amerikanët ta kuptojnë se ata meritojnë të vërtetën", tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Kjo shtytje për dëshmitarë të rinj u përshpejtua në fillim të kësaj jave pas disa zbulimeve falë librit të ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare John Bolton që pretendonte se zoti Trump personalisht i kishte thënë atij se ndihma amerikane për Ukrainën ishte e lidhur me hetimet ndaj rivalit politik Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter.

"John Bolton mund të vërtetojë pjesën tjetër të provave tona dhe të konfirmojë fajësinë e presidentit. Pra sot senatorë ju bëjmë thirrje që të lejoni këtë dëshmitar dhe dëshmitarët e tjerë kryesorë që kemi identifikuar, që të dëshmojnë në mënyrë që ju të keni të gjithë informacionin në dispozicion për të marrë këtë vendim të rëndësishëm", tha ligjvënësja demokrat Val Demings.

Por avokatët e presidentit argumentuan se ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve duhet t’i kishin intervistuar dëshmitarët gjatë hetimve që kryen dhe jo gjatë gjyqit në Senat.

"Kjo nuk është mënyra se si ky organ duhet të lejojë që t'i paraqiten akuzat për shkarkim të Presidentit", tha avokati Patrick Philbin.

Presidenti Trump i ka mohuar akuzat e zotit Bolton dhe ia ka dalë të ruajë besnikërinë e senatorëve republikanë, të cilët thonë se pezullimi i ndihmës për Ukrainën ishte i përkohshëm ndaj dhe nuk mund të përbëjë një shkelje që mund të çojë në shkarkimin e Presidentit.

"Ata i morën paratë. Nuk ka pasur asnjë hetim të ish-Nënpresidentit Biden dhe djalit të tij Hunter. Nuk mendoj se ky lloj veprimi, edhe pse i papërshtatshëm, trondit themelet e një demokracie", tha senatori republikan Lindsay Graham.

Senatorët republikanë Mitt Romney dhe Susan Collins u bashkuan me demokratët në përpjekjen për thirrur dëshmitarë, por mbështetja e tyre nuk ishte mjaftueshme për të miratuar propozimin, që sipas sondazheve mbështetej nga shumica dërrmuese e amerikanëve.

"Presidenti mund të ketë fituar betejën, por në ditët në vazhdim, pasi të dalë e vërteta, do të humbasë luftën", tha senatori demokrat Tom Carper.

Senati shtyu për javën tjetër votimin përfundimtar, në të cilin do të vendoset nëse Presidenti Trump do të lirohet nga akuzat apo do të shkarkohet nga detyra.

Senatorët pritet të mbajnë fjalimet e tyre përfundimtare për këtë çështje të hënën, në të njëjtën ditë kur mbahen zgjedhjet paraprake në Ajova, të parat për emërimin e kandidatëve presidenciale për zgjedhjet e nëntorit. Votimi përfundimtar është caktuar të mbahet të mërkurën, vetëm një ditë pas fjalimit të Presidentit Trump në Kongres mbi gjendjen e vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG