Lidhje

Koronavirusi thekson nevojën për sistem të fortë shëndetësor


Në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit, shumica e kompanive ajrore kanë ndaluar ose reduktuar udhëtimet drejt Kinës. Shumica e vendeve i kanë larguar shtetasit e tyre nga Wuhani, qyteti ku u shfaq për herë të parë virusi. Rreziku i përhapjes së sëmundjes vdekjeprurëse, bëri që Organizata Botërore e Shëndetësisë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.

Ndërsa shtohet numri i vendeve që kanë ndaluan udhëtimet drejt Kinës, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka sugjeruar kufizime lidhur me tregtinë apo udhëtimet duke kërkuar nga vendet që morën masa të tilla t’i rishqyrtojnë vendimet.

“Nëse bazohemi tek e shkuara, nëse njerëzit kanë dashur të udhëtojnë dhe rrugët zyrtare kanë qenë të mbyllura, ata e kanë gjetur një mënyrë. Mënyra më e mirë që të kontrollohen rastet është monitorimi i atyre që kalojnë kufirin”, tha Christian Lindmeier, zëdhënës në Organizatën Botërore e Shëndetësisë.

Mungesa e informacioneve rreth infeksionit viral e bën situatën edhe më alarmuese thotë J. Stephen Morrison i qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.

“Aktualisht ne nuk e dimë cili është rreziku i shpërndarjes. Njerëzit mendojnë se shkalla e transmetimit është të paktën 2.5 deri në 3, por disa skencëtarë në Kinë dhe Hong Kong thonë se mund të jetë deri në gjashtë, që është dyfishi i rrezikut të së transmetimit tek një person tjetër”, tha ai.

Kina ndërmorri hapa ekstreme për të parandaluar përhapjen e virusit, përfshirë edhe izolimin e më shumë se 50 milionë njerëzve në Wuhan dhe provincën Hubei.

Koronavirusi është shpërndarë në 20 shtete jashtë Kinës si në Britani, Shtetet e Bashkuara, Japoni, Australi, Gjermani e Francë.

“Nuk jemi të shqetësuar me zhvillimet atje, sepse ata dinë si t’i izolojnë dhe trajtojnë pacientët”, tha Christian Lindmeier, zëdhënës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Kjo thekson nevojën për çdo vend në botë që të ketë një sistem të fortë që zbulon sëmundje të tilla, thotë Tom Frieden, ish-drejtor në qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Epidemive.

“Të gjithë jemi të lidhur përmes ajrit që thithim, ujit që pijmë, ushqimit që hamë, udhëtimeve që bëjmë. Përmirësimi i kushteve të parandalimit të kërcënimeve shëndetësore përmes një sistemi mbatjeje nën kontroll, testeve laboratorike, do të na ndihmonte të gjithëve”, tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG