Lidhje

SHBA, në prag të fillimit të zgjedhjeve paraprake


Votat e para të zgjedhjeve paraprake të këtij viti në Shtetet e Bashkuara do të hidhen të hënën, në Ajova. Në 50 vitet e fundit, partitë politike të Amerikës kanë organizuar zgjedhje paraprake për të përcaktuar kandidatin e tyre për president. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Redisch shpjegon procesin e këtyre zgjedhjeve.

Imagjinoni organizimin e më shumë se një mijë takimeve, të gjitha në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë. Kjo ndodh në shtetet si Ajova, që përdorin një formë të veçantë zgjedhjesh.

Zgjedhjet paraprake në SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Për çdo zonë votimi në shtetin e Ajovës, votuesit mblidhen në një shkollë ose bibliotekë dhe deklarohen hapur se cilin kandidatë presidencial e mbështesin.

Votat numërohen, dhe kandidatët marrin delegatët bazuar në rregullat e partisë.

Partitë politike në gjashtë shtete që do të organizojnë këtë formë zgjedhjesh në vitin 2020 janë: Ajova, Nevada, Kentaki, Havai, Dakota e Veriut dhe Uajoming.

Ajova është shteti më i njohur për këtë proces zgjedhjesh. Që nga viti 1972, Ajova ka qenë shteti i parë që organizon zgjedhjet paraprake. Rezultatet e zgjedhjeve në këtë shtet analizohen thellësisht, duke ofruar provat e para të nivelit të mbështetjes për cilindo nga kandidatët.

Zgjedhjet në Ajova do të mbahen në mbrëmjen e 3 shkurtit. Fokusi është te demokratët sepse Presidenti Donald Trump e ka pothuajse të siguruar emërimin e republikanëve në kuvendin e partisë në gusht.

Për dallim nga natyra e hapur e zgjedhjeve në Ajova, votimi në zgjedhjet paraprake është i fshehtë dhe bëhet në një kabinë votimi.

Votat numërohen dhe në bazë të rezultatit partitë marrin një numër të caktuar delegatësh që pastaj mbështesin kandidatin përkatës në kuvendet e partive.

Më shumë se 40 shtete do të zhvillojnë zgjedhje paraprake në vitin 2020.

Në bazë të ligjit, Nju Hampshir është shteti i parë që mban zgjedhjet e rregullta paraprake në vend. Këtë vit, ky shtet i mban zgjedhjet më 11 shkurt.

Për shkak se janë shtetet e para në të cilat votohet, Ajova dhe Nju Hampshir tërheqin më shumë vëmendje sesa shtetet më të populluara, më të larmishme dhe me më shumë delegatë. Një kritikë e sistemit aktual është se Ajova dhe Nju Hampshir janë shtete me banorë kryesisht të bardhë.

Kandidatët presidencialë kalojnë muaj me radhë duke biseduar me banorët e këtyre dy shteteve, duke vizituar restorante, panaire shtetërore dhe duke marrë pjesë në takime të bashkive në përpjekje për të takuar sa më shumë votues.

Për kandidatët që mbijetojnë në Ajova dhe Nju Hampshir, testi i tyre i radhës është 3 Marsi 2020, i njohur si Super e Marta për shkak të numrit të madh të shteteve që mbajnë zgjedhje në këtë ditë.

Në këtë ditë 14 shtete zhvillojnë zgjedhje, përfshirë dy shtetet më të populluara të Amerikës, Kalifornia dhe Teksasi. Rreth 30 për qind e delegatëve për secilën kuvend të partive përcaktohen në ditën që quhet Super e Marta.

Zgjedhjet paraprake vazhdojnë deri në javën e parë të qershorit. Zakonisht, një kandidat siguron fitoren para këtij afati, duke e bërë kuvendin e partisë në verë një moment kurorëzimi, së bashku me emërimin nga partia të kandidatit për nënpresident.

Por nëse asnjë kandidat nuk fiton gjatë zgjedhjeve paraprake, atehërë në kuvendin e partisë mund të ketë një dramë politike verore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG