Plani i Presidentit Trump përfshin aneksimin nga Izraeli të Luginës së Lumit Jordan, rripin e gjatë të tokës që kalon për Jordanisë dhe Bregut Perëndimor. Lugina përbën gati një të tretën e të gjithë Bregut Perëndimor dhe është një nga burimet kryesore të hurmave në botë. As izraelitët dhe as palestinezët që jetojnë në zonë nuk e dinë saktësisht se çfarë do të thotë për zonën e ashtuquajtura "marrëveshje e shekullit", por izraelitët janë optimistë dhe palestinezët janë të shqetësuar.
Kryeministri izraelit Netanyahu është entuziast për aneksimin e Luginës Jordan, siç parashikohet në planin e paqes të Presidentit Trump. Gjashtë mijë kolonët hebrenj të zonës nuk janë të sigurt se çfarë do të ndryshojë, nëse dhe kur kjo do të ndodhë, por ata janë optimistë.
"Për ne është shumë mirë. E gjithë zona e luginës Jordan, një brez me 80 kilometra gjatësi, do të jetë nën sovranitetin tonë. Kjo do të thotë se do të qeveriset nga ligji i Izraelit dhe jo më nga ushtria. Tani qeveriset nga ushtria dhe ushtria nuk di se si të merret me qytetarët. Vetëm qeveria e di se si të trajtojë qytetarët, kështu që ne preferojmë që të jemi pjesë e Izraelit", thotë Orit Artsieli, e Këshillit Rajonal të Luginës Jordan.
Rreth 25 mijë palestinezë jetojnë në qytetin e afërt Jeriko, i cili është nën kontrollin ekskluziv të Autoritetit Palestinez. Ata janë të shqetësuar se Jerikoja mund të shkëputet nga pjesa tjetër e Bregut Perëndimor nëse Izraeli anekson Luginën Jordan.
"Si palestinezë, dhe si arabë, ne e kundërshtojmë plotësisht Marrëveshjen e Shekullit të Trump-it. Plani parashikon që Izraeli të marrë edhe më shumë tokë sesa në vitin 1967", thotë Salim Ghrouf, Kryetar i Bashkisë Jeriko.
Megjithë tensionet politike që i rrethojnë, fermerët izraelitë në Luginën Jordan thonë se kanë bashkëjetesë paqësore me punëtorët dhe fqinjët e tyre palestinezë.
"Njerëzit e zakonshëm që jetojnë këtu në këtë zonë, shumica e arabëve, janë gjithashtu fermerë dhe punëtorë që vijnë për të fituar bukën dhe qumështin që vendoset në tryezë", thotë Kuki Elbaz, pronar i një ferme izraelite.
Palestinezët që punojnë në fermën e tij pajtohen që marrëdhëniet këtu janë të mira, megjithëse shqetësohen për të ardhmen, nëse Izraeli anekson Luginën Jordan.
"Jam i shqetësuar. A do të më duhet një leje për të ardhur këtu? Po sikur të mos kaloj kontrollin e sigurisë? Do të më duhet të gjej një punë tjetër", thotë Husni Tarek, punëtor ferme palestinez.
Pronarët e fermave palestineze janë gjithashtu të shqetësuar. Një fermë dhe fabrika e saj fqinje është në pronësi të Ismail Daiq, një ish-ministër palestinez i bujqësisë. Dy të tretat e 80,000 pemëve të hurmave të tij janë të vendosura në zona që mund të aneksohen nga Izraeli.
"Është një zonë paqësore, nuk kemi probleme; tani pres që problemet të fillojnë, kur të ndalohet të shkosh në tokën tënde. Ata vendosën të marrin gjithçka, tokën, ujin, gjithçka. Gjërat do të ndryshojnë", thotë Ismail Daiq, pronar ferme palestineze.
Aneksimi i Luginës Jordan është vetëm një nga çështjet e diskutueshme që izraelitët po debatojnë përpara raundit të tretë të zgjedhjeve në fillim të marsit.
Facebook Forum