Lidhje

Shqipëri, “Makina e së vërtetës” për kandidatët për në BKH


Në Tiranë, ambasadorja amerikane Yuri Kim përsëriti sot angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur autoritetet në luftën ndaj korrupsionit në sistemin e Drejtësisë penale. Komentet e saj, ambasadorja Kim i bëri gjatë ceremonisë së çertifikimit të 5 punonjësve të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në ministrinë e Brendshmë, të cilët u trajnuan nga ekspertë amerikanë për të përdorur poligrafin, ose sic njihet ndryshe makina e së vërtetës.

“Ligji për Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kërkon që të gjithë punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, t’i nënshtrohen ekzaminimit me poligraf para punësimit. Këta ekzaminues dhe pajisja e dhuruar nga Shtetet e Bashkuara, sigurojnë aftësinë për ta zbatuar atë ligj. Ato janë një tjetër armë në arsenalin e qeverisë shqiptare për të zbuluar dhe larguar individët e korruptuar nga radhët e ligjzbatuesve”, deklaroi ambasadorja Kim.

Aparatura e cila gjithashtu u dhurua nga Shtetet e Bashkuara do të përdoret menjëherë ndaj të gjithë kandidatëve për në Byronë Kombëtare të Hetimit. “Njësia do të fillojë të kryejë kontrollin e kandidatëve për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit më vonë gjatë kësaj jave — një hap vërtetë domethënës për ta bërë BKH-në realitet”, tha zonja Kim, duke ju drejtuar më pas Drejtuesit të SHÇBA-së, Muhamet Rrumbullaku se “tanimë i takon organizatës suaj të sigurojë përdorimin e efektshëm dhe efikas të kësaj njësie në një mënyrë të paanshme që respekton të drejtat e njeriut. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’ju ndihmojnë në këtë detyrë dhe në funksione të tjera vendimtare, gjatë vitit të ardhshëm. Sikurse me përparimin në fushat e tjera të reformës në drejtësi, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë vendosmërisht me Qeverinë e Shqipërisë, ndërsa largon korrupsionin nga sistemi i drejtësisë penale. Kjo punë duhet të vazhdojë në të gjithë spektrin e gjerë të sistemit të drejtësisë”.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nga ana e tij foli për një moment të rëndësishëm, duke qenë se “prezantojmë një profesion të ri në Shqipëri të pa njohur më parë, që është poligrafi. Fatkeqësisht të njohur në botë, por të panjohur në Shqipëri deri më sot. Dhe për këtë arsye besoj që vërtet është një ditë historike për vendin tonë sepse ne futim një instrument të ri objektiv, i cili ndihmon jo vetëm në finalizimin e hapave të reformës në drejtësi, por na jep një instrument mbrojtjeje për institucionet tona në vijueshmëri”, tha ai, duke shpjeguar se makina e së vërtetës “do të përdoret në vijimësi për gjithë rekrutimet e reja në Policinë e Shtetit, SHÇBA, Gardën e Republikës si dhe për diagnostifikimin periodik të gjithë personave që shërbejnë në institucionet e sigurisë publike”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG