Lidhje

Bisedimet për anëtarësim, KE prezanton metodologjinë e re


Komisioni europian prezantoi sot metodologjinë e re mbi bisedimet e anëtarësimit në kuadër të procesit të zgjerimit, pas këmbënguljes, kryesisht të Francës e cila pasoi me mungesën e një vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut tetorin e kaluar. Komisioneri për Zgjerimin Oliver Harvelyi tha sot në Bruksel se Komisioni i qëndron rekomandimit pozitiv për Tiranën dhe Shkupin dhe se shpreson që metodologjia e re dhe hapja e bisedimeve për dy vendet ballkanike të miratohet gjatë mbledhjes së Këshillit në mars.

KE prezanton metodologjinë e re për anëtarësimin
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Në mbledhjen e tetorit të Këshillit europian, presidenti francez Emanuel Macron vuri veton duke lënë pezull shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, ndërsa kërkoi një rishikim të procesit të bisedimeve dhe vetë zgjerimit.

Komisionit europian ju kërkua që të përgatiste një dokument të ri, i cili u prezantua sot nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Harvelyi: "Janë 4 parime mbi të cilat bazohet metodologjia: besueshmëri, parashikueshmëri, dinamizëm dhe drejtim më të fuqishëm politik. Këto janë parimet mbi të cilat duam të punojmë, e me të cilat duam të sigurojmë si vendet anëtare dhe publikun tonë ashtu dhe vendet e Ballkanit Perëndimor".

Metodologjia e re, rishikon shumë aspekte të procesit të bisedimeve. Nga ana teknike, zëvendësohen kapitujt e deri tanishëm në 6 blloqe. Bisedimet për secilin grupim do të hapen si një e tërë. Ato për grupin e parë, ku përfshihen kapitujt që kishin të bënin me shtetin e së drejtës, do të hapen në fillim dhe do të mbyllen të fundit dhe përparimi i tyre do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.

Nga ana tjetër metodoligja parashikon dhe penalizime. “Ne duhet të kemi mundësinë që ta ndalim procesin e biedimeve kur nuk shohim progres apo ka hapa pas, ne do të zbatojmë masa proporcionale, që do të thotë se do ta bëjmë të qartë se mund të tërhiqemi”, shpjegoi Komisioneri Varhelyi.

Negociatat mund të ndalen për elementë të caktuara, ose në rastet më serioze, të pezullohen plotësisht, dhe kapitujt e mbyllur mund të rihapen. Po ashtu përfitimet e tjera, edhe financiare mund të ndërpriten ose të tërhiqen.

Një element që mund të përbëjë rrezik për vendet në proces bisedimesh është angazhimi më i madh i vetë vendeve anëtare në proces, të cilat mund të sinjalizojnë Komisionin për çdo ngecje ose lëvizje serioze në procesin e reformës, apo madje të kërkojnë dhe aplikimin e sanksioneve në raste kur konsiderojnë se procesi nuk po ecën në drejtimin e duhur.

Nga ana tjetër metodologjia parashikon dhe stimuj që mund të përfshijnë integrimin e përshpejtuar dhe “përfshirjen graduale” në politika individuale të BE-së, në tregun të BE-së dhe programet e BE-së - duke siguruar kushte të barabarta - si dhe rritje të fondeve dhe investimeve.

Komisioneri Varhelyi shpjegoi se "rekomandimi i mëparshëm i Komisionit mbetet është ende i vlefshëm, pasi në ende konsiderojmë se duhet të hapen bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne e dimë se megjithatë duhet të përditësojmë këtë rekomandim, me zhvillimet e fundit. Ka patur përparime ne të dy vendet të cilat unë i kam vizituar se fundmi. Ajo që kam parë është se ato kanë vijuar me reformat. Dhe ky është një përparim që ne duhet ta vëmë në tavolinën e Këshillit e mbi bazën e të cilave të debatojmë mbi rastin, se bisedimet për anëtarësim, së bashku me metodoligjhinë e re mund të nisin”.

Metodologjia e re nuk prek Serbinë dhe Malin e Zi, të cilët kanë kohë që janë përfshirë në procesin e bisedimeve, duke bërë në një farë mënyrë një ndarje të tyre nga pjesa tjetr e rajonit.

Mbetet për t’u parë se sa kjo metodologji do të kënaqë kërkesat kryesisht të Francës e cila ishte dhe nismëtarja e këtij procesi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG