Lidhje

Juan Guaido gjen mbështetje të fortë në SHBA


Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, mori mbështetje gjatë vizitës katër ditore në Uashington gjatë së cilës u takua me Presidentin Donald Trump e zyrtarë tjerë amerikanë. Ka kaluar një vit që kur Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera perëndimore i dhanë mbështetje zotit Guaido, por duke garantuar pak sukses në largimin nga pushteti të Nikolas Maduros.

Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë Juan Guaido zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë në Uashington në një përpjekje për të forcuar lëvizjen e tij kundër regjimit të Presidentit Nikolas Maduro.

Pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo udhëheqësi i Asamblesë së Përgjitshme të Venezuelës, kërkoi mbështetje në përpjekjet për të rrëzuar Maduron.

“Duhet të ndalojmë regjimin e Maduros në Venezuelë dhe për këtë na duhet mbështetja amerikane dhe e mbarë botës që ta parandalojmë tani, këtë lloj terrorizmi. Po luftojmë shumë, ne nuk jemi të dhunshëm”, tha ai.

Udhëheqësi i opozitës së Venezuelës gëzon mbështetjen e dy partive në Uashington.

Presidenti Trump mori duartrokitje nga të gjithë kur prezantoi zotin Guaido, gjatë fjalimit të tij të përvitshëm mbi gjendjen e vendit.

“Maduro është një sundimtar i kundërligjshëm, tiran që tmerron popullin e tij. Por tirania e tij do të thyhet”, tha Presidenti amerikan Donald Trump.

Shfaqja e zotit Guaido në Shtëpinë e Bardhë u dha fund spekulimeve se zoti Trump nuk e sheh atë si mundësi për të rrëzuar Maduron nga pushteti.

Por politikat e Presidentit Trump për Venezuelën, po kritikohen.

“Nëse politikat do të funksiononin Juan Guaido nuk do të ishte në këtu, do të ishte në Venezuelë”, tha udhëheqësi i pakicës në Senat, demokrati Chuck Schumer.

Prej më shumë se një viti administrata Trump e ka njohur Juan Guaidon si President të përkohshëm të Venezuelës, duke shpallur Nicolas Maduron si udhëheqës të kundërligjshëm.

Lëvizja e cila u mbështet nga vende tjera perëndimore, bëri pak në përmirësimin e situatës atje.

Protestat dështuan sikurse edhe sanksionet amerikane, pasi udhëheqësi i majtë vazhdon të gëzojë pushtetin, mbështetjen e ushtrisë së tij si dhe të Rusisë e Kinës.

Vizita e zotit Guaido në Shtetet e Bashkuara vjen menjëherë pas takimeve në Evropë dhe Kanada, në përpjekje që të forcohet mbështetja e perëndimit për lëvizjen opozitare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG