Shteti verilindor Nju Hemshër voton për kandidatin e Partisë Demokrate për President të martën. Është gara e dytë në procesin e emërimit të kandidatit demokrat, pas asaj të Ajovës javën e kaluar por e para ku procesi bëhet me votim, ndërsa në Ajova përzgjedhja bëhej përmes diskutimeve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carolyn Presutti ndodhet në Nju Hemshër, ku ka biseduar me disa votues që shpjegojnë se pse nuk po nxitojnë të vendosin se cilin kandidat duan.
Diane Savoie është votuese e zgjedhjeve paraprake dhe është ende e pavendosur nëse duhet të votojë për Senatoren nga Minesota, Amy Klobuchar apo ish-kryebashkiakun e qytetit South Bend të Indianës, Pete Buttigieg.
Vendimi përfundimtar varet vetëm nga një faktor.
"Kush mund të fitojë ndaj Trump-it", thotë Diane Savoie.
Familja Bart e ka pasur dyqanin me ëmbëlsira “Granite State” që prej 100 vjetësh. Pronari Jeff Bart thotë se do dikë që të drejtojë vendin, ashtu si menaxhon ai biznesin: me përgjegjësi fiskale.
"Ne jemi të kujdesshëm me paratë. Nuk duam të shpërdorojmë asnjë dollar”, thotë ai.
Prirja e mendimit të pavarur pasqyron mënyrën sesi banorët votojnë në këtë shtet. Demokratët dhe të pavarurit mund të regjistrohen dhe të votojnë brenda ditës.
Por në Nju Hemshër, koha është e parashikueshme ndërsa votuesit jo edhe aq.
"Nuk kam vendosur", thotë Nicole Ruane.
"Është një moment vendimtar, prandaj është e rëndësishme që ta zgjedhim njeriun e duhur”, thotë Alex Campbell.
43 për qind e votuesve nuk kanë deklaruar përkatësi partiake.
Inxhinieri Andy Mertinooke që punon për “Waypoint Robotics”, një sipërmarrje teknologjike, thotë se ndoshta do të vendosë për kandidatin tek kutia e votimit. Ai nuk po ua vë veshin anketave që tregojnë se kush mund ta mundë Presidentin Trump.
"Më e rëndësishmja është që të votosh për dikë që përfaqëson vlerat dhe bindjet e tua dhe pastaj të ndodhë çfarë të ndodhë”, thotë Andrew Mertinooke.
Para katër vjetësh, senatori nga Vermonti Bernie Sanders fitoi në këtë shtet. Vëllezërit Jesse dhe Alex Khoury, duan që ai të fitojë prapë, për pikëpamjet e tij për klimën.
"Mendoj se është një mundësi unike, që të fitojë dikush si Sanders”, thotë ai.
Analistët mendojnë se senatori Sanders është në krye ose me aq mbështetje sa Buttigieg, pasuar nga ish-nënpresidenti Joe Biden dhe Senatoret Elizabeth Warren dhe Klobuchar.. Duhet pritur e marta për të parë se kush do jetë fituesi.
Facebook Forum