Në SHBA, pretendentët demokratë për presidentë po bëjnë përpjekje të minutës së fundit për vota në zgjedhjet paraprake që po zhvillohen sot në Nju Hempshër. Sondazhet tregojnë se senatori i Vermontit Bernie Sanders kryeson në Nju Hempshër i ndjekur nga ish- kryetari i bashkisë së Sauth Bendit në Indiana, Pete Buttigieg. Në betejën për vendin e tretë janë senatorja nga Masaçusets, Elizabeth Warren dhe ish nënpresidenti Joe Biden.
Senatorja e Minesotës, Amy Klobuchar iu drejtua votuesve në një darkë në Nju Hempshër duke shpresuar të befasojë me një rezultat të mirë në zgjedhjet e sotme.
Gjithashtu mes atyre që bënë një thirrje të fundit për mbështetje është njeriu që kryeson në sondazhe, senatori Bernie Sanders.
"Tani është koha për t'u përfshirë. Ju lutemi dilni të votoni. Le të fitojmë këtu. Le ta mposhtim Trump. Le ta transformojmë këtë vend. Faleminderit të gjithëve!
Sanders është përpjekur të ndalë një rritje të mbështetjes për Pete Buttigieg.
Buttigieg mori më shumë delegatë nga Sanders në Ajoua javën e kaluar dhe tani paralajmëroi votuesit se Sanders do të ishte një kandidat demokrat përçarës.
"Ideja se duhet të jesh ose për një revolucion ose për një status quo e lë jashtë shumicën prej nesh. Ne kemi nevojë për një politikë që na bashkon, sepse të gjithë ne duam një president të ri dhe më të mirë".
Nju Hempshër është një provë thelbësore për Joe Biden.
Pas udhëheqjes në sondazhet kombëtare gjatë gjithë vitit të kaluar, Biden u radhit në vendin e katërt në Ajoua dhe po kërkon mënyra për të rigjallëruar fushatën e tij.
“Karakteri i këtij vendi është në fletëvotime. Ne duhet ta mposhtim Donald Trump! Nuk ka zgjidhje tjetër. Ai nuk ka pike dinjiteti".
Biden duket se po lufton për vendin e tretë së bashku me senatoren e Masaçusets Elizabeth Warren.
“Bisedoni me personin para jush në rradhë në dyqan. Por mbi të gjitha hyni në këtë betejë! ”
Kandidatët e tjerë që kërkojnë të bëjnë një paraqitje të mirë në Nju Hempshër përfshijnë Klobuchar, senatorin e Kolorados Michael Bennet dhe ligjvënësja e Hauait Tulsi Gabbard.
Votuesit në Nju Hempshër duken më të shqetësuar për gjetjen e kandidatit më të fortë që do të mposhte Presidentin Trump, thotë Jim Kessler.
"Kemi një elektorat që është ende në kërkim të një kandidati. Shumë votues janë duke thënë 'ka dy ose tre kandidatë që mund t'i mbështesja'. Michael Bloomberg është në garë me burime të pakufizuara, pasi të kalojmë katër shtetet e para. Kështu që surprizat akoma mund të ndodhin”.
Pas Nju Hempshër, kandidatët demokratë do të vazhdojnë fushatat e tyre në shtete demografike më të ndryshme si Nevada dhe Karolina e Jugut.
Facebook Forum