Lidhje

Ligjvënësit kundër shkurtimeve të ndihmës për jashtë


Presidenti Trump po propozon një shkurtim të thellë prej 21 përqind të ndihmës amerikane për vendet e huaja, ndërsa Departamenti i Shtetit thotë se e mbështet projektbuxhetin. Por nga ana tjetër, ligjvënësit që kontrollojnë procesin e buxhetit, thonë se shkurtimet e propozuara në ndihmat për vendet e huaja, do të dobësonin sigurinë kombëtare të SHBA dhe udhëheqjen e saj globale.

Ndihma amerikane për vendet në zhvillim dhe organizatat ndërkombëtare të ndihmave është objektiv i shkurtimeve drastike të buxhetit të Presidentit Trump për të tretin vit radhazi. Çdo vit, Kongresi ka hedhur poshtë shkurtimin e ndihmave për vendet e huaja dhe ka miratuar më shumë para nga sa është kërkuar, duke nxitur reagime si ky në Departamentin e Shtetit të hënën. Matt Lee, gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press për çështjet diplomatike i bëri një pyetje Drejtorit të Departamentit të Shtetit për Ndihmat e Huaja Jim Richardson.

“Për tre vite rresht, janë bërë propozime për shkurtime. Edhe pse kësaj here propozohet 21 përqind dhe jo 34 apo 35 si në vitet pararendëse, Kongresi i ka hedhur poshtë shkurtimet.”

“E mbështesim plotësisht buxhetin. Mendojmë se kanë përparësi nevojat e rëndësishme të theksuara nga zyrtarët e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID. Është një proces që ka lindur nga poshtë lartë me përparësitë që nevojiten”, tha zoti Richardson.

Disa ligjvënës reaguan menjëherë duke denoncuar shkurtimet. Mes tyre, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë Eliot Engel i quajti shkurtimet të pamatura dhe që dobësojnë udhëheqjen amerikane në botë nëse miratohen.

Ekspertë të politikave të jashtëme thonë se Presidenti Trump duhet ta kuptojë se ndihmat e huaja janë mjet efektiv për të trajtuar probleme të ngutshme. Brian Katulis punon për Qendrën për Progresin Amerikan.

“Nëse nuk veprohet, vende të tjera do të kenë më shumë dhunë, qeverisje të dobët dhe probleme të tjera që Presidenti Trump po mundohet t’i trajtojë duke ndërtuar një murë në kufirin jugor ... migrantë dhe refugjatë...këto janë gjara që trajtohen nga ndihma për vendet e huaja.”

Departamenti i Shtetit thotë se propozimi për buxhetin e mban Amerikën si donatorin e vetëm më të madh për ndihmat humanitare dhe shëndetin global, ndërsa u kërkon vendeve dhe partnerëve të bëjnë më shumë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG