Lidhje

Reagime ndaj propozimit për ndërtimin e një platforme lundruese rreth ishujve grekë


Greqia planifikon të ndërtojë një platformë lundruese në vijën e saj bregdetare për të penguar emigrantët që vijnë nga Turqia, ndërsa është shtuar numri i tyre në muajt e fundit. Ky plan ka nxitur reagime të forta nga grupet e të drejtave të njeriut. Qeveria greke është nën presion në rritje për të gjetur një zgjidhje, ndërsa në ishullin Lesbos kanë shpërthyer protesta në të cilat po bëhet thirrje për mbylljen e kampeve të mbipopulluara të refugjatëve.

Pothuajse 60,000 emigrantë arritën përmes detit në brigjet greke nga Turqia në vitin 2019, gati dyfishi i numrit nga një vit më parë. Athina po kërkon mënyra për të penguar valën e tyre dhe ditët e fundit qeveria propozoi ndërtimin e një barriere detare pranë ishullit Lesbos, i cili ndodhet vetëm disa kilometra larg Turqisë.

Me një gjatësi prej 2.75 kilometrash, barriera do të ngrihej mbi sipërfaqen e ujit dhe do të përfshijë drita ndriçuese për të paralajmëruar varkat e migrantëve. Kostoja e ndërtimit të barrierës përllogaritet të jetë mbi 550,000 dollarë.

"Ky plan mund të rrezikojë jetën e njerëzve. Ndërtimi i një platforme lundruese në det mund ta vështirësojë punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit për të shpëtuar varkat dhe mund të shkaktojë probleme me ata që arrijnë në breg", thotë Massimo Morati nga organizata Amnesty International.

Qeveria Greke thotë se barriera detare do të vepronte si një pengesë për kontrabandistët e njerëzve.

Rritja e valës së migrantëve që nga gushti po shton vështirësitë mbi ishujt grekë. Kampi Moria në Lesbos është ndërtuar për 3,000 persona, por aktualisht aty ndodhen mbi 19,000 njerëz.

"Jeta nuk është e lehtë. Shtëpia natën është pa energji elektrike. Është shumë ftohtë për familjen, për foshnjën, jemi të sëmurë", thotë Farhd, një migrant nga Afganistani.

Migrantët dhe banorët grekë të ishullit kanë organizuar protesta ditët e fundit, duke bërë thirrje për mbylljen e kampit dhe largimin e migrantëve nga ishulli.

"Ne i mbështesim ata aq sa mundemi, por duam që këta njerëz të largohen, jo sepse ata na shqetësojnë, por sepse ata jetojnë në kushte çnjerëzore", thotë protestuesja Zoi Giannaka.

Mbi 60 migrantë vdiqën duke u përpjekur të kalonin nga Turqia në Greqi vetëm vitin e kaluar. OKB-ja dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar Greqinë që të respektojë ligjin ndërkombëtar.

"Çdo vend, përfshirë Greqinë, ka të drejtë të menaxhojë kufijtë e tij, por edhe ata që po vijnë përmes detit për të kërkuar azil dhe siguri, kanë të drejtë ta bëjnë këtë", thotë zëdhënës i UNHCR-së për Greqinë, Boris Cheshirkov.

Megjithatë, vala e migrantëve që hyjnë në Greqi është shumë më ulët se në kulmin e saj në vitin 2015, kur mbi 885,000 emigrantë arritën në brigjet e saj, shumë prej tyre të ikur nga lufta në Siri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG