Lidhje

QKSS: Qytetarët e Kosovës me mendime të ndara rreth masave ndaj Serbisë


Një studim i publikuar nga Qendra e Kosovës për studime të sigurisë tregon se shumica e qytetarëve e mbështesin vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa mbeten të ndarë rreth çështjes së tarifave ndaj mallrave serbe.

Plator Avdiu nga kjo qendër tha se të anketuarit i shohin ndarjen e Kosovës si dhe Asociacionin e komunave serbe si rreziqe për sigurinë kombëtare në Kosovë.

QKSS: Qytetarët e Kosovës me mendime të ndara rreth masave ndaj Serbisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:04 0:00

“Rreth 70 për qind e tyre konsiderojnë që Kosova ende rrezikohet nga ndarja ose nga ajo që atëherë është quajtur korrigjimi i kufijve ose shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës e Serbisë, por rrezik ende shihet nga rreth 65 për qind e qytetarëve edhe një farë lloj autonomie territoriale ose asociacion me kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe në Kosovë”, tha ai.

Sipas raportit, shumica e qytetarëve mendojnë se bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të vazhdojnë dhe gati 50 për qind e tyre mendojnë që marrëveshja duhet të arrihet ndërsa 14 për qind mendojnë se bisedimet nuk duhet të vazhdojnë. Sipas raportit, qytetarët e Kosovës mbeten të ndarë rreth masave ndaj Serbisë.

“35 për qind e qytetarëve mendojnë se taksat duhet të mbetën në fuqi ndërsa rreth 33 për qind është numri i atyre që mendojnë se duhet të vendosen masat e plota reciproke të Kosovës ndaj Serbisë ndërsa numri i atyre që mendojnë se taksa duhet krejtësisht të hiqet është rreth 23 për qind”, tha zoti Avdiu.

Raporti përfshinë edhe opinionin e qytetarëve për mundësinë e zbehjes së marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar. Nga të anketuarit, 33 për qind mendojnë që kjo nuk ka ndodhur ndërsa rreth 27 për qind e qytetarëve pajtohen që tarifat i kanë zbehur ato.

Po ashtu në raport thuhet se afër 90 për qind e të anketuarve e shohin Serbinë si shteti me ndikimin më të dëmshëm ndaj Kosovës, e ndjekur nga Rusia dhe Kina.

Igor Bandoviç, drejtor i qendrës së Beogradit për studime të sigurisë tha se opinioni në Serbi është i mendimit të njejtë kur bëhet fjalë për shqiptarët e Kosovës. Ai tha se të dyja shoqëritë janë të gatshme për marrëveshje por askush nuk po punon në këtë drejtim. Sipas zotit Bandoviç, marrëveshjet e arritura sikurse ajo e sotmja me ndërmjetësimin amerikan janë të mira, por sipas tij mbetet shqetësuese mospërfshirja e Bashkimit Evropian.

“Mendoj që Evropa dhe shtetet e saj duhet të angazhohen më shumë politikisht në të gjithë këtë, nuk duhet të presin që të vijnë amerikanët dhe të zgjidhin problemet, por duhet të bëjnë më shumë dhe mendoj që Bashkimi Evropian ka ende mundësi për ta bërë këtë që do të ishte e leverdishme për partnerët që po negociojnë marrëveshjen. Nuk jam kundër përfshirjes amerikane, por po them që duhet të kemi të dyja palët, amerikanët dhe evropianët në këtë proces, sepse është për të ardhmen tone”, tha zoti Bandoviç.

Ndërsa, deputetja e lëvizje Vetëvendosje, Fitore Pacolli Dalipi tha se Kosova e Serbia nuk duhet të nguten në arritjen e një marrëveshjeje pa filluar një formë të re të bisedimeve.

“Nuk duhet të ngutemi që të arrijmë një marrëveshje sepse ngutja që ka filluar prej vitit 2011, presioni që duhet të arrijmë marrëveshje na ka sjellë neve në këtë gjendje pra nuk kemi arritur të përmirësojmë gjendjen e qytetarëve, cilësinë e jetës së qytetarëve këtu në Kosovë por kemi vendosur krejt kapacitetin shtetëror në kornizën e arritjes së një marrëveshje me Serbinë dhe nuk kemi arritur rezultat, nuk ka pasur rezultat pozitiv”, tha zonja Pacolli.

Kosova e Serbia po përballen kohëve të fundit me trysni ndërkombëtare për të rifilluar bisedimet ndërmjet tyre, duke hequr dorë nga politikat e tyre aktuale siç janë tarifat ndaj mallrave serbe dhe fushata e tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG