Lidhje

Autoriteti i Konkurrencës pezullon rritjen e çmimeve të telefonisë celulare


Në Shqipëri Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka vendosur pezullimin e rritjes së çmimit të paketave të reja të ofruara nga tre kompanitë e shërbimit celular, Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom, dhe nisjen e një hetimi nën dyshimet për një marrëveshje të fshehtë mes tyre

Autoriteti i Konkurrences shpjegoi se kishte marrë njoftim lidhur me ndryshimet e paketave celulare 30 ditore me parapagesë, si nga dy prej tre kompanive që veprojnë në treg, ashtu dhe nga qytetarët dhe Qendra “Konsumatori shqiptar” . Këta të fundit kanë pretenduar se “kompanitë celulare kanë rritur çmimet në mënyrë të pajustifikuar, pa informuar konsumatorët e telefonisë celulare dhe në dëm të interesave ekonomike të këtyre konsumatorëve”.

Vetë Autoriteti shprehet, se nisur nga kjo situatë, vendosi të realizojë një monitorim në këtë treg në lidhje me çmimin e paketave mujore që hidhen në treg nga operatorët celular Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom. Nga një krahasim i paketave të reja me ato ekzistuese, është vënë re se të tre operatorët celularë, duke nisur nga fundi i muajit Janar, “kanë hedhur në treg paketat e reja standarde 30 ditore me parapagesë me një rritje në çmim prej 200 lekësh, si dhe kanë rritur vlerën minimale për rimbushjeje me 100 leke, nga 100 në 200 lekë”.

Autoriteti i Konkurrencës, bëri të ditur se duke vlerësuar se, gjendej, sipas tij, “përpara një rasti urgjence për shkak të rrezikut të kryerjes së një dëmi të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në këtë treg”, ka vendosur ndërprerjen e menjëhershme, të aplikimit të paketave të reja, dhe nisjen e një hetimi paraprak që do të zgjasë dy muaj, nën dyshimet se kompanitë mund të kenë vepruar në kushtet e një marrëveshjeje të fshehtë mes tyre. Pezullimi i paketave të reja do të qëndrojë në fuqi deri në përfundim të hetimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG