Lidhje

Presidenti i Ukrainës: Do t'i jap fund konfliktit në Ukrainë


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u zotua të shtunën t'i japë fund konfliktit separatist në lindje të vendit të tij, ku si pasojë e luftimeve mes rebelëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave të Ukrainës janë vrarë më shumë se 14 mijë vetë që nga viti 2014.

Duke folur në konferencën e Sigurisë në Mynih zoti Zelenskiy tha se shpreson që konflikti të përfundojë deri në fund të mandatit të tij në 2024.

"Nëse në pesë vite, ne do t'i japim fund luftës, e do të kthejmë njerëzit tanë, atëherë unë jam bërë president për një arsye", tha ai.

Konflikti në lindje të Ukrainës shpërtheu në prill të 2014, disa javë pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë duke shkatërruar atë që ishte zemra industriale e vendit.

Duke falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e Ukrainës në konfliktin e saj me Rusinë, zoti Zelenskiy tha se shpreson për një fillim të ri në marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit, tani që procesi që synonte shkarkimin e presidentit Donald Trump ka përfunduar, siç tha ai.

Ukraina dhe zoti Zelenskiy ishin në qendër të hetimeve që po kryente Kongresi amerikan me synimin për të shkarkuar zotin Trump. Gjatë një telefonate në muajin korrik të vitit të kaluar që u bë shkak për nisjen e hetimeve, zoti Trump i bëri presion zotin Zelenskiy për të hetuar përfshirjen e djalit të kandidatit për president, Joe Biden, me Burisma-n, një kompani ukrainase gazi.

Në Mynih zoti Zelenskiy tha se dëshiron të vizitojë Shtëpinë e Bardhë ndërsa ftoi zotin Trump për një vizitë në Kiev.

"Ne kemi një marrëdhënie të mirë me SHBA-në dhe u jam mirënjohës amerikanëve për mbështetjen e tyre", tha ai.

zoti Zelenskiy, një aktor komik 42-vjeçar, pa përvojë politike, fitoi zgjedhjet presidenciale të Ukrainës në vitin 2019 me premtime për t'i dhënë fund luftimeve. Ai ka shprehur gatishmërinë për të negociuar një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Sidoqoftë disa mosmarrëveshje po e ndërlikojnë procesin e paqes, përfshirë rimarrja nga Kievi i kontrollit mbi kufijtë e saj dhe lejimin e zhvillimit të zgjedhjeve që do t'u jepnin rajoneve të kontrolluara nga rebelët më shumë autonomi.

Zoti Zelenskiy tha të shtunën në Mynih se ai dëshiron që në tetor zgjedhjet lokale të mbahen në të gjithë vendin përfshirë edhe në zona të caktuara në lindje. Por zgjedhjet nuk mund të mbahen ndërsa luftimet vazhdojnë tha ai.

Njerëzit në Donbass kanë nevojë për zgjedhje që do të njiheshin si të ligjshme. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk mbahen në përputhje me ligjet e Ukrainës, apo mes luftimesh dhe pa kontrollin e kufirit të Ukrainës nga Kievi”, tha presidenti ukrainas.

Zoti Zelenskiy njoftoi se do të zhvillojë bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin në muajin prill në lidhje me një tjetër shkëmbim të burgosurish. Sipas tij 200 ukrainas mbahen aktualisht në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG