Lidhje

Shanset për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes SHBA dhe Talebanëve


Shtetet e Bashkuara dhe Talebanët arritën marrëveshje për të reduktuar luftimet për një javë, në një përpjekje drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Gazetarja e Zërit të Amerikës Ardita Dunellari, njofton se një marrëveshje më e gjerë paqeje që do të çonte në tërheqjen e plotë të forcave amerikane, por ka ende shumë të panjohura, që lidhen me çështje të mbrojtjes të së drejtave të njeriut, edukimin e grave e të tjera.

Gjatë konferencës së sigurisë në Mynih, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo dhe ai i Mbrojtjes Mark Esper, u takuan me Presidentin afgan, Ashfar Ghani për të diskutuar rreth marrëveshjes që do të çonte në tërheqjen e trupave amerikane nga vendi, pas 18 vitesh lufte atje.

Nëse tensionet e armatosura reduktohen kjo do t'i hapte rrugë negociatave mbi ardhmen politike të vendit. Zyrtarët afganë e mirëpritën propozimin.

“Ka shpresë. Nuk mund të themi se gjithçka do të zgjidhet. Niveli i luftimeve dhe dhunës duhet të bjerë që të hapet rruga për marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqe mes afganëve”, tha kreu i qeverisë afgane, Abdullah Abdullah.

Megjithatë në Afganistan ka shqetësime mbi qëndrueshmërinë e marrëveshjeve të arritura me vështirësi, pas tërheqjes së forcave amerikane.

I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin Roland Kobia, thekson nevojën që të vëzhgohet nga afër respektimi i të drejtave të njeriut.

“Duhet të tregohemi të kujdessëm në mbrojtjen e të drejtave të grave, pakicave, rinisë, lirisë së shtypit e të tjera”, tha ai.

Analisti Peter Bergen beson se prania amerikane është garancia e vetme për të mbrojtur arritjet sociale dhe institucionale.

“Mendoj se nëse do të ketë tërheqje të plotë të Amerikës nga Afganistani, këto institucione do të dorëzohen. Mendoj se do të jenë nën trysni të madhe. Prandaj shpresoj se Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen”, tha ai.

Sa i përket të drejtave të grave, ambasadorja Shukria Barakzai thotë se gratë afgane duhet të jenë të zëshme në kërkesat e tyre.

“U them grave afgane të mos humbin shpresën dhe të mendojnë se janë viktima të lojërave politike. Ne jemi pjesë e shoqërisë dhe çdo grup politik në qeverinë afgane duhet të njeh ekzistencën tonë. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona dhe nuk do të heshtim”, tha zonja Barakzai.

Ndërsa marrëveshja shihet me dyshim nga afganët, ajo pritet t’i japë një shtytje politikës së presidentit Trump, i cili ka bërë fushatë duke u mbështetur tek premtimi për t’i dhënë fund konfliktit më të gjatë ku janë përfshirë Shtetet e Bashkuara në historinë e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG