Lidhje

Kina njofton rënie drastike të rasteve të reja me koronavirus


Kina njoftoi një rënie drastike të rasteve të reja me koronavirus i cili ka shkaktuar vdekjen e mbi 2 mijë personave në këtë vend që prej shpërthimit më shumë se dy muaj më parë.

Komisioni Kombëtar për Shëndetin bëri të ditur të mërkurën se ishin regjistruar 394 raste të reja me COVID-19 krahasuar me 1,749 raste të regjistruara një ditë më parë, rënia më e madhe që nga muaji i kaluar. Numri i vdekjeve u rrit në 2,118 ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka arritur në 74.576.

Autoritetet kineze kanë hasur vështirësi për të parandaluar përhapjen e virusit të zbuluar për herë të parë në muajin dhjetor në qytetin e Wuhanit, në provincën Hubei.

Autoritetet kineze e izoluan provincën dhe kanë ndaluar transportin si brenda dhe jashtë saj.

Jashtë Kinës, të paktën 11 persona kanë vdekur nga virusi, përfshirë një rast në Korenë e Jugut, dy persona në Iran dhe një çift të moshuarish, të cilët ishin pasagjerë të anijes “Diamond Princess”, e cila qëndroi në karantinë në një port të Japonisë në qytetin e Jokohamës prej ankorimit të saj më 3 shkurt.

Zyrtarët japonezë të shëndetësisë vendosën të 3,700 pasagjerët dhe ekuipazhin në karantinë brenda në anije, pasi një pasagjer që zbriti prej saj në Hong Kong u diagnostikua me koronavirus.

Rreth 600 pasagjerë pritet të lënë anijen të enjten, një ditë pasi 500 të tjerë u larguan prej saj ndërsa rezultuan se nuk ishin të prekur nga koronavirusi.

Ndërkohë më shumë se 150 pasagjerë australianë arritën në Darvin të enjten pas evakuimit nga Jokohama. Ata do të qëndrojnë sërisht në karantinë edhe për 14 ditë të tjera. Rreth 300 pasagjerët amerikanë që u evakuuan të hënën ndodhen gjithashtu në një karantinë në Shtetet e Bashkuara.

Megjithë rënien e numrit ditor të rasteve të reja, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është ende herët për të parashikuar me saktësi se çfarë trajektoreje do të marrë situata.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG