Lidhje

Kosovë, qëllohet me vezë Zv/kryeministri Avdullah Hoti


Kosovë, qëllohet me vezë Zv/kryeministri Avdullah Hoti
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:49 0:00

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u qëllua me vezë të shtunën dhe në një video të publikuar në rrjetet sociale dëgjohet personi që hodhi vezët duke bërë thirrje që “tarifat ndaj mallrave serbe nuk duhet te hiqen”.

Lidhja Demokratike e Kosovës e dënoi sulmin me vezë duke e cilësuar atë një akt të ulët, të papranueshëm dhe të dëmshëm për proceset vendimtare politike nëpër të cilat po kalon vendi.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hoti shkroi në rrjetet sociale se porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. “Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë. Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në”, shkroi zoti Hoti.

Kosovë, qëllohet me vezë Zv/kryeministri Avdullah Hoti
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:49 0:00

Sulmin e dënoi edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se ai “është i papranueshëm dhe i dënueshëm në demokracinë dhe shtetin që kemi ndërtuar. Tendenca për ta arsyetuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike ka qenë dhe do të mbetet përherë e papranueshme dhe e dënueshme”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Kryeministri, Albin Kurti, shkroi se “veprimet e dirigjuara prej marazit të ngelur nga 6 tetori e 3 shkurti nuk e shqetësojnë qeverinë, e cila po punon e angazhohet për të mirën e popullit e të shtetit, dhe mbështetet gjerësisht nga qytetarët. Zv.kryeministrit Hoti i uroj forcë e punë të mbarë, opozitës i dëshiroj frymë bashkëpunuese, edhe kur e luftojmë korrupsionin e krimin, edhe kur e mbrojmë shtetin e kombin”, shkroi ai.

Sulmi me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Hoti ndodhu në periudhën kur qeveria e Kosovës ka paralajmëruar heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia, një kërkesë kjo e shtruar me forcë nga diplomacia perëndimore e posaçërisht Shtetet e Bashkuara. Përfaqësues të opozitës kundërshtojnë heqjen e saj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar veprime për të kundërshtuar synimet e qeverisë.

Analistët: Koha që qeveria të veprojë rreth tarifave

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti, thotë për Zërin e Amerikës se nëse tarifat nuk hiqen, Kosova rrezikon marrëdhëniet me aleatët.

“Raportet në një farë mënyre janë cenuar, janë prishur dhe faktori ndërkombëtar e ka pranuar qeverinë e re, sidomos SHBA, si një qeveri për ndryshim të politikave dhe vendimi apo kërkesa që vije sot për tarifën, është kërkesë që është artikuluar moti dhe kjo shkon përkrahë proceseve dhe përgatitjeve të faktorit ndërkombëtar sidomos të SHBA-së për procesin e dialogut. Ata i kanë bërë përgatitjet, duan që Kosova të bëj përgatitjet e veta dhe të futet në proces. Nuk po trajtohet qëllimshëm, por Kosova po mbetet mbrapa hapave të përgatitjeve çfarë SHBA-ja në veçanti i ka bërë dhe e dyta një përshtypje që po tentohet të krijohet se edhe në këtë rast qeveria e Kosovës po kërkon hapësira në marrëdhëniet në mes të faktorit ndërkombëtar, është shumë i gabueshëm, nuk e di a është e vërtetë, nuk mund të themi”, tha zoti Rashiti.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Kosova duhet të marr vendim për çështjen e tarifave pasi që tashmë proceset po shtyhen përpara nga faktori ndërkombëtar.

“Kemi parë se pavarësisht që kemi taksën në fuqi marrëveshjet janë arritur edhe pse quhen si marrëveshje ekonomike, si paralele ndaj procesit të dialogut por po shihet që ka një gatishmëri të shtuar të SHBA-ve dhe të zotit Grenell që procesi i dialogut të shtyhet përpara, meqë tashmë kemi qeverinë e Kosovës funksionale dhe meqë pritet edhe në Serbi të ketë zgjedhje dhe duket se qëllimi i tyre është që të shtyhet përpara ky proces edhe gjatë kësaj periudhe dhe që brenda vitit të shihet mundësia për arritjen e një marrëveshjeje”, tha zonja Krasniqi.

Kryeministri Albin Kurti është zotuar të heqë tarifat por do t’i zëvendësojë ato me masat e reciprocitetit të plotë më Serbinë. Vendosja e masave të tilla sipas analistëve, do të mund të marr një kohë të gjatë.

“Ka një përcaktim shumë të madh të SHBA-ve në veçanti që e do këtë vendim nga qeveria e Kosovës dhe nuk e besoj që qeveria duhet të vonohet pastaj të mendoj të ndërtoj çështjet e reciprocitetit, por vendimin për suspendimin e përkohshëm të taksës është mirë ta marr sa më shpejt, mos ta le që të bëhet pengesa dhe zhvillimi kryesor i marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së në veçanti, por edhe tjerëve, kështu që është mirë që ky vendim dhe kjo temë të hiqet pastaj të mendohet për hapat se si duhet ballafaqohet Kosova me Serbinë”, tha zoti Rashiti.

Analistët thonë se qeveria e Kosovës nuk duhet të ngutet me çështjen e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe t’u jap mundësi bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve. Ata thonë se masat e reciprocitetit duhet të vendosen hap pas hapi dhe kundruall sjelljes së Serbisë ndaj Kosovës.

“Pra a do të vijë Serbia edhe me një kushtëzim të radhës duke thënë se pavarësisht që është hequr taksa tani duam që edhe këto masa të hiqen apo do të jetë dakord që të kthehet në tryezën e diskutimeve”, tha zonja Krasniqi.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe për t’iu kundërvënë qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG