Lidhje

Bernie Sanders fiton Nevadën


Bernie Sanders fitoi të shtunën zgjedhjet brenda partisë në garën për zyrtarizimin e kandidatit demokrat që do të garojë kundër presidentit Trump në zgjedhjet e nëntorit.

Me fitoren në Nevada zoti Sanders ka forcuar pozitat e tij si kryesues i garës mes demokratëve.

Pas pothuajse një barazimi në Ajova, fitores në Nju Hempshër dhe fitores së qartë në Nevada, senatori Bernie Sanders, bëri thirrje për bashkim brenda partisë.

“Nëse jemi të bashkuar, nuk do të mposhtim vetëm presidentin Trump, por do të ndryshojmë këtë vend, do të krijojmë një qeveri dhe ekonomi në shërbimin tonë, dhe jo që kontribuesve të pasur të fushatës”, tha ai.

Joe Biden, ndonëse u rendit i dyti me diferencë të thellë votash, u shpreh optimist.

“Shtypi është gati të na shpallë “të vdekur” menjëherë, por ne jemi gjallë, do të rikthehemi e do të fitojmë”, tha ai.

Rezultatet nxorën të tretin kryetarin e bashkisë së South Bandit, Pete Buttigeg, i cili uroi zotin Sanders për fitoren, por kritikoi politikat e tij të majta.

“Senatori Sanders beson në një revolucion ideologjik jo të përshtatshëm, që përjashton shumicën e demokratëve dhe të amerikanëve”, tha ai.

Në vend të katërt në garën brenda demokratëve u rendit senatorja Elizabeth Warren.

Shumë demokratë ndryshuan qëndrim gjatë procesit të votimit, sikurse Kimberly Carr, e cila e ndryshoi mbështjen e saj nga zonja Warren tek zoti Sanders.

“Na duhet një grua presidente. Mendoj se është e kualifikuar. Do të isha krenare të kishim atë, por duhet të jemi realistë. Kur sheh 75 njerëz që qëndrojnë këtu dhe vetëm pesë në anën tjetër, duhet të pajtohesh me shumicën”, thotë Kimerly Carr, votuese.

Senatorja Amy Klobuchar dhe biznesmeni Tom Steyer mbetën shumë pas me numër votash.

Zoti Sanders kritikohet nga demokratët e moderuar, por ai dëshmoi se ka mbështetje në Nevada, një shtet i larmishëm etnikisht, ku një në pesë votues është hispanik.

Ai ka përpara një sfidë të madhe siç është garan në Karolinën e Jugut të shtunën që vjen dhe në 14 shtete më 3 mars, në atë që njihet si “super e marta”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG