Lidhje

Kina, Koreja e Jugut njoftojnë raste të reja me koronavirus


Kina dhe Koreja e Jugut kanë bërë të ditura raste të reja me koronavirus të martën, ndërsa tregjet e aksioneve në Japoni pësuan rënie për të dytën ditë rrjesht. Tregjet globale po ashtu patën rënie të ndjeshme ndërsa Presidenti Donald Trump i ka kërkuar Kongresit 2.5 miliardë dollarë për të luftuar përhapjen e virusit.

Zyrtarët kinezë të shëndetësisë njoftuan për 71 raste të reja vdekjesh dhe 508 raste infeksionesh. Numri total i të vdekurve në vendin e origjinës ka arritur në më shumë se 2,663 ndërsa njoftohet për 77,500 të infektuar.

Koreja e Jugut është vendi i dytë i goditur më rëndë pas Kinës, ndërsa numri total i rasteve arriti në 1 mijë të martën me 10 të vdekur.

Autoritetet kanë shtyrë fillimin e vitit shkollor, kanë sterilizuar sallat e Asamblesë Kombëtare dhe i kanë kërkuar popullsisë që të qëndrojnë në shtëpi nëse kanë temperaturë apo simptoma të frymëmarrjes. Koreja e Jugut gjithashtu ka shtyrë fillimin e kampionatit kombëtar të futbollit, ndërsa liga e basketbollit njoftoi të martën se ndeshjet do të vazhdojnë pa spektatorë.

Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-In e quajti situatën shumë të rëndë ndërsa qëndroi të martën në Daegu, ku janë vërejtur shumica e të prekurve me virus. Zoti Moon premtoi mbështetje të plotë nga qeveria dhe tha se Koreja e Jugut do ta fitojë në luftën kundër virusit.

Irani njoftoi për 95 raste me të paktën 15 të vdekur. Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan përmes agjencisë shtetërore të lajmeve për pezullimin e të gjitha fluturimeve me Iranin, si reagim ndaj përhapjes së koronavirusit.

Të hënën u njoftuan rastet e para nga disa vende si Iraku, Afganistani, Kuvajti, Bahrain dhe Amani, vende të cilat kishin lidhje me Iranin.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Gutirres u bërri thirrje qeverive që të bëjnë gjithçka nevojitet.

Antonio Guterres
Antonio Guterres

“Të gjitha vendet, dhe ky është një problem që po prek vendet në botë, të gjitha vendet duhet të bëjnë gjithçka që të jenë të përgatitura. Të gjitha vendet duhet të bëjnë gjithçka, duke respektuar natyrisht parimin e mosdiskriminimit, pa stigmatizim, duke respektuar të drejtat e njeriut, por duke bërë gjithçka të mundur për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.”

Presidenti Trump tha të martën se Kina po “punon shumë” dhe se mendon se Shtetet e Bashkuara janë “në një gjendje shumë të mirë” në këtë pikë.

“Jemi me fat deri tani, dhe mendoj se do të vazhdojmë të jemi të tillë”, u shpreh ai.

Të hënën, administrata e tij i kërkoi Kongresit fonde për të cilat tha se do të përdoreshin për zhvillimin e vaksinave dhe për të blerë pajisje për trajtimin dhe mbrojtjen. Demokratët reaguan kundër planit, duke thënë se Shtëpia e Bardhë nuk po bën aq sa duhet ndërsa përpiqet të devijojë fondet nga përparësitë e tjera shëndetësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG