Lidhje

Gjykatësi federal vendos se kreu i agjencisë së imigracionit është emëruar në mënyrë të paligjshme


Një gjykatës federal amerikan vendosi të dielën se Ken Cuccinelli është zgjedhur në mënyrë të paligjshme në pozicionin e ushtruesit të detyrës së drejtorit për Shërbimet e Emigracionit dhe Qytetarisë amerikane (USCIS), dhe për këtë shkak i mungon autoriteti për të nxjerrë një direktivë që kufizonte sasinë e kohës që azilkërkuesit duhet të kenë për tu përgatitur për intervistat e tyre fillestare të shqyrtimit të rasteve.

Sfida ligjore u soll në emër të pesë azilkërkuesve nga Hondurasi pasi Cuccinelli pakësoi hapësirën e konsultimit para intervistave për frikë të besueshme nga 48 ose 72 orë, në "një ditë të plotë kalendarike që nga data e mbërritjes në një institucion paraburgimi".

Gjykatësi Randolph Moss vendosi që çështjet për pesë hondurasit të dërgoheshin mbrapsh në agjenci për procedura të mëtejshme, por gjykatësi Moss nuk dha asnjë lloj lehtësimi për imigrantët e tjerë, çështjet e të cilëve janë mohuar.

Grupet e përfshira në padi festuan vendimin e së dielës.

"Ne jemi mirënjohës që paditësit tanë të guximshëm do të kenë një mundësi të vendosin të drejtën e tyre për azil në një mënyrë që ndjek ligjin, dhe se gjykata forcoi traditën e kombit tonë si një vend që mirëpret emigrantët", tha drejtori i çështjeve gjyqësore RAICES Manoj Govindaiah.

Një zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Heather Swift, tha "ne padyshim që nuk jemi dakord me mendimin e gjykatës dhe po e ndjekim më nga afër".

Gjykatësi Moss tha që Cuccinelli nuk ishte ligjërisht asistenti i parë i drejtorit të USCIS sipas Aktit Federal të Reformës së Vendeve Vakante (FVRA) dhe nuk mund të emërohej drejtor në detyrë.

"..."Asistenti i parë" i zyrës që ka vendin bosh, automatikisht shërben si zyrtar në detyrë kur lind një vend vakant."


Sipas dokumenteve të gjykatës, më 1 qershor 2019, Lee Francis Cissna, drejtori i atëhershëm i konfirmuar nga Senati i agjencisë USCIS, dha dorëheqjen dhe sipas ligjit FVRA "ndihmësi i tij i parë", atëherë zv.drejtori Mark Koumans, pritej të merrte automatikisht postin e ushtruesit të detyrës si drejtor.

Nëntë ditë pas dorëheqjes së zotit Cissna, Sekretari i atëhershëm në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Kevin McAleenan, emëroi zotin Cuccinelli "për të shërbyer si zv/drejtori kryesor i USCIS" - një pozicion që dokumentet e gjykatës thonë se nuk ekzistonte para emërimit të tij.

McAleenan ndryshoi rregullin e pasuesit të USCIS, duke përcaktuar pozicionin e krijuar rishtazi të zv/drejtorit kryesor si "ndihmësi i parë dhe pasardhësi më i lartë i drejtorit të agjencisë USCIS".

Këto dy ndryshime, tregojnë dokumentet, ndodhën pas dorëheqjes së zotit Cissna, dhe lejuan Cuccinellin të dilte mbi zotin Koumans për t'u bërë drejtor në detyrë i agjencisë USCIS.

Sekretari në detyrë McAleenan saktësoi se emërimi i zotit Cuccinelli si zv/drejtor kryesor duhej të mbetej në fuqi deri në emërimin e një drejtori të agjencisë USCIS nga presidenti i Shteteve të Bashkuara".

McAleenan atëherë tha se urdhri i rishikuar i pasuesit do të "përfundojë automatikisht" pas emërimit të një drejtori të ri të agjencisë USCIS nga Presidenti Donald Trump ".

Zëri i Amerikës i dërgoi agjencisë USCIS një kërkesë për koment, por nuk ka marrë një përgjigje.

Cuccinelli, një ligjvënës konservator i njohur për pikëpamjet e tij të ashpra të imigracionit, ka qënë prokuror i përgjithshëm i Virxhinias. Trump i kërkoi atij të drejtonte agjencinë që ka për detyrë të administrojë sistemin ligjor të imigracionit të vendit.

Nën drejtimin e Cuccinellit, agjencia USCIS udhëhoqi përpjekjet për të zbatuar një interpretim të ri të ligjit të imigracionit, sipas të cilit emigrantët me të ardhura të ulëta mund t’u refuzohet qëndrimi legal, vizat ose pranimi në Shtetet e Bashkuara.

Cuccinelli shërben gjithashtu në postin e zëvendës sekretarit të Sigurisë Kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG