Lidhje

Sanders kritikon Presidentin Trump për menaxhimin e krizës së virusit 


Senatori Bernie Sanders kritikoi menaxhimin nga Presidenti Donald Trump të krizës së koronavirusit që deri më tani ka shkaktuar 26 viktima në Shtetet e Bashkuara, ndërsa janë identifikuar rreth 600 raste.

Senatori Sanders foli gjatë diskutimit për virusin të organizuar në shtetin Miçigan, në vigjilje të votimeve paraprake brenda Partisë Demokrate.

“Presidenti Trump citohet të ketë thënë se ai ka “aftësi natyrale” për të kuptuar koronavirusin dhe se virusi do të marrë fund brenda muajit prill. Donald Trump nuk ka aftësi natyrale për ta kuptuar koronavirusin dhe deklaratat e tij të pakujdesshme kanë hutuar njerëzit në këtë vend dhe në mbarë botën”, tha Senatori Sanders.

Presidenti Trump po përballet me një epidemi, pasojat e së cilës i ka nënvlerësuar vazhdimisht. Ai iu bashkua të hënën Nënpresidentit Mike Pence, i cili informoi se si qeveria po menaxhon rastin e një anijeje të ankoruar në Kaliforni, me të paktën 21 persona të diagnostikuar me virusin. Disa pasagjerë filluan zbarkimin të hënën dhe të martën pritet të kenë zbritur të gjithë.

“Pasagjerët që mbeten do të transportohen me mënyra të kontrolluara me shumë kujdes. Do të dërgohen me autobusë në aeroport dhe pastaj do të dërgohen në shtetet Xhorxhia dhe Teksas. Të gjithë pasagjerët do të testohen, dhe sipas rastit, do të izolohen e do të futen në karantinë”, tha Nënpresidenti Mike Pence.

Nënpresidenti Pence tha se ekuipazhi do ta largojë anijen nga moli dhe do të vetëizolohet në kushtet e karantinës në anije.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG