Lidhje

Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi


Në Shqipëri u rregjistrua sot rasti i parë i një personi që humbet jetën pas infektimit nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se zonja 73 vjeçare, që vuante nga disa patologji kronike, ishte kthyer para disa ditësh në Durrës, pas një udhëtimi në Itali në zonën e Bolonjës.

Shqipëri: Shënohet vdekja e parë nga koronavirusi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:57 0:00

Sot në mbrëmje, ministria konfirmoi zbulimin edhe të tre rasteve të reja, që i bashkohen dy të tjerave të konfirmuara po sot. Prej tyre 4 janë kontakte të rastit të parë të zbuluar mesnatën e së dielës, ndërsa një tjetër është një i moshuar në Lushnje (78 vjeçar) me histori udhëtimi me Italinë. Deri tani nga të 15 rastet, 4 janë persona që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, dhe të gjithë me histori udhëtimi në Itali, ndërsa 11 të tjerët rezultojnë të gjithë të jenë persona me lidhje të ngushta me 28 vjeçarin që u zbulua i pari.

Në total deri në mbrëmjen e së mërkurës, sipas njoftimit zyrtar “janë estuar 241 të dyshuar për COVID-19. Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim”.
Në dy ditët e fundit, Shqipëria ndërmori masa të forta shtrënguese, menjëherë pas zbulimit të rasteve të para. Autoritetet urdhëruan mbylljen për dy javë gjithë sistemin arsimor, stadiumet sportive dhe qendrat kulturore, ku mblidhen një numër i madh qytetarësh. Po ashtu në të gjithë vendin janë mbyllur dhe pub-et, klubet e natës, diskotekat, pishinat dhe palestrat.

Ditën e sotme autoritetet njoftuan për masa të reja shtrënguese. Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se ka propozuar “mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht; caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës; caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij; vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik si dhe reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës”.

Në mbrëmje, siç kishte njoftuar dhe kryeministri Edi Rama, kanë nisur të paktën në Tiranë, kontrolle me postoblloqe në rrugët kryesore të kryeqytetit nga policia dhe njësitë e ushtrisë, për verifikimin e personave që mund të kenë shmangur vetkarantinimin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG