Lidhje

Koronavirusi dhe frika për recesion në SHBA


Virusi po ndikon çdo aspekt të ekonomisë amerikane e për pasojë mund të sjellë ulje të rritjes ekonomike të vendit e ta zhysë atë në recesion. Ekonomistët thonë se sa më shumë të përhapet virusi aq më i madh do të jetë ndikimi ekonomik dhe rikuperimi do të kërkojë shumë kohë.

Në Shtetet e Bashkuara ka shqetësim në rritje për vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi, i klasifikuar tani si pandemi.

"Ne presim që kjo të jetë potencialisht një periudhë e dobët ekonomike për Shtetet e Bashkuara, dhe nuk do të shohim rritjen që kishim parashikuar", thotë William Hoagland, economist në Qendrën për Politika Dypartiake.

Industria e udhëtimeve tashmë është dëmtuar mjaft nga shpërthimi i koronavirusit në anijet turistike dhe nga anulimet e përhapura të udhëtimeve ajrore.

Këshillat kundër tubimeve publike kanë nxitur anulimin e konferencave, festivaleve muzikore dhe ngjarjeve sportive si dhe i kanë lënë restorantet dhe teatrot në një përpjekje për të mbijetuar.

Mbylljet e pjesshme të fabrikave që prodhojnë pjesë makinash në Kinë po rrisin shqetësimet se prodhuesit amerikanë të automobilëve do të duhet të shkurtojnë prodhimin.

Tregjet financiare kanë reaguar me frikë dhe paqëndrueshmëri ekstreme, me rënie drastike të vlerave të aksioneve dhe çmimeve të naftës.

Të mërkurën Presidenti Trump njoftoi ndalimin e udhëtimeve për shumicën e fluturimeve nga Evropa dhe lehtësim financiar për punëtorët dhe bizneset e prekura. Por ai gjithashtu u përpoq të qetësonte publikun lidhur me ekonominë.

"Kjo nuk është një krizë financiare; ky është vetëm një moment i përkohshëm që do ta kapërcejmë së bashku si komb dhe si botë”, tha ai.

Presidenti ka propozuar ulje të përkohshme të taksave dhe interesave të huave për industritë dhe punëtorët e prekur.

"Zakonisht në botën e biznesit, kjo është një situatë që i bën njerëzit e biznesit shumë, shumë të shqetësuar dhe zakonisht nuk u pëlqen, por mendoj se tani po përballemi me një krizë të shëndetit publik", thotë Bradley Gold, profesor në Universitetin e Teksasit.

Miratimi i masave të reja kërkon mbështetje financiare.

"Kjo do të shtojë defiçitin federal në një afat të shkurtër, por është e rëndësishme nëse nënkupton mbrojtjen e sigurisë dhe publikut amerikan dhe rivendosjen e besimit ekonomik të nevojshëm për të ecur përpara", thoë zoti Hoagland.

Masat e guximshme janë të nevojshme të merren shpejt, thonë analistët, për të siguruar ndihmë të menjëhershme për ata që preken dhe për të shpejtuar një rimëkëmbje ekonomike pasi shpërthimi i virusit të ketë përfunduar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG