Lidhje

Shqipëri, dy viktima nga koronavirusi, 104 numri i të prekurve


Në Shqipëri, vijojnë të shtohen personat që kanë rezultuar pozitiv ndaj Covid 19, duke e çuar totalin e tyre sot në 104 raste. Po ashtu ritme më të larta janë vërejtur dhe në shtrimet në spitalin Infektiv, ku në 24 orët e fundit, u rregjistruan dhe dy të sëmurë që humbën jetën. Autoritetet thanë sot se kjo javë pritet të sjellë një situatë më të rënduar, dhe përsëritën thirrjet e tyre drejtuar qytetarëve që të mos dalin nga banesat e tyre

Shqipëri, dy të vdekur dhe 15 raste të reja me koronavirus
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:49 0:00

Që prej ditës së djeshme numri i rasteve të prekura dhe të të shtruarve në spitale, mori një kthesë në rritje. Në 48 orët e fundit janë rregjistruar gati 30 përqind e totalit prej 104 të infektuar që nga 9 marsi kur u shënua dhe rasti i parë. Sot autoritetet folën për 15 raste të reja të infektuarish, ndërkohë që harta është zgjeruar dhe me qytete të reja si Vlora dhe Shkodra. “Tirana përmban numrin më të madh të rasteve, 66 raste, që janë identifikuar gjatë hetimeve dhe gjurmimeve, që janë raste por dhe kontakte të tyre, që tanimë janë kthyer në raste, e pasuar nga Fieri me 12 raste dhe më pas Durrësi me 7 raste”, shpjegoi sot shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino. Qytetet e tjera janë Lushnja, 2 qytetarë, Elbasani, 2 qytetarë, Rrogozhina, 2 qytetarë, Kavaja, 3 qytetarë, Korça, 3 qytetarë, Vlora, 4 qytetarë dhe Shkodra me 1 rast.

Rasti i Shkodrës, i përket një gruaje, e cila ka më shumë se tre javë që ndodhet në Tiranë, ku mendohet që dhe është infektuar. Sipas autoriteteve vendore të SHëndetësisë në Shkodër, familjarët e saj nuk rezultojnë të jenë të prekur. Ndërkohë për dy raste të tjera të dyshuara, është bërë testimi dhe pritet përgjigjia nga laboratori i specializuar në Tiranë.

Gjatë 24 orëve të fundit, 2 persona humbën jetën në spitalin Infektiv, duke e çuar në 4 numrin e viktimave. Pas 71-vjeçarit nga Kuçova, i cili u nda mbrëmë nga jeta, ndërkohë që vuante nga një sëmundje e rëndë, dhe probleme të tjera shëndetësore, sot në mëngjes, humbi jetën dhe një pacient 43-vjeçar, i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive. “Pas rëndimit të gjendjes gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë. Përpos obezitetit, ai nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese”, shpjeguan autoritetet.

Një tjetër pacient, kaloi në vdekje klinike gjatë paradites. Falë përpjekjes së mjekëve, ai doli më pas nga gjendja kritike, por situata e tij shëndetësore mbetet e rënduar.

Ndërsa ka shkuar në 5 numri i atyre që janë shëruar, në spitalin Infektiv ishin të shtruar deri mesditën e së hënës 49 persona. “Kemi raste që janë relativisht mirë, dhe shpresojmë që nga dita në ditë t’i nxjerrim. Kemi raste të rënda, dhe raste shumë të rënda, sikundër janë pacientët që janë në terapi intensive”, bëri të ditur mjeku i spitalit Infektiv Pëllumb Pipero.

Autoritetet shëndetësore por dhe udhëheqësit politik kanë përsëritur në mënyrë këmbëngulëse nevojën që qytetarët të respektojnë rregullat e forta që janë vendosur për të shmangur qarkullimin .

Mos luani me zjarrin. Nuk e ndalim dot vdekjen të na marrë njerëz, por duhet të ndalim me çdo kusht kërdinë që mund të bëjë, për shkak të pakujdesisë, të kokëfortësisë dhe papërgjegjshmërisë sonë. Do humasim njerëz, askush nuk e di, askund. Por nuk duhet, në asnjë mënyrë, të humbasim një mal me njerëz. Kurrën e kurrës. Dhe këtë e kemi në dorë vetë dhe e ka në dorë secili prej nesh, duke bërë durim, durim, durim. Kur dilni në pazar, mos rrini grumbull, porn ë distancë të patën 1 metër pas kurrizit të njeri-tjetrit”, u shpreh kryeministri Rama përmes një komunikimi në Facebook.

Në të njejtën linjë dhe kryetari demokrat Lulzim Basha, i cili pati disa thirrje dhe për qeverinë: “Sot, është koha që të gjithë sëbashku të bëjmë çfarë të mundemi! Në duart tona kemi një armë të fuqishme përmes distancimit social, përmes rregullave të distancës, edhe kur detyrohemi të dalim nga shtëpia për të kryer nevojat e domosdoshme të ditës, ne mund dhe do ta ngadalësojmë përhapjen e virusit. Nga ana tjetër, dua t’i bëj sot thirrje qeverisë të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”

Pas gati 48 orësh shtetrrethimi të plotë në fundjavë, sot me rinisjen e lëvizjeve, situata dukej më e përmbajtur krahasuar me atë të të paradites të së shtunës. Menjëherë pas orës 13.00 në rrugë dolën sërish mjete dhe forca të shumta të policisë dhe ushtrisë.

Ndërsa gjendja pritet të rëndohet, dhe ditët e ardhshme shihen si përcaktuese për përmasat e përhapjes së koronvirusit në vend, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, njoftoi për blerjen e materialeve të reja mbrojtëse, veçanërisht për personelin mjekësor si dhe respiratorë për rastet e rënda të pacientëve. “Me masat që ne kemi marë, kemi arritur të sigurojmë rritjen e stokur me 25 mijë maska, dhe në vazhdim pritet furnizimi me 140 mijë maska, ndërkohë që po planifikojmë krijimin e një stoku tjetër me plus 200 mijë maska specifike në vijim. Sa i përket veshjeve speciale, po rrisim në këtë javë stokun, me 10 mijë veshje speciale, dhe planifikojmë rritjen e stokut me 50 mijë veshje speciale në vijim. Paralelisht, po lidhim kontratën për blerjen e 54 respiratorëve dhe kemi nisur procedurën për blerjen e 100 respiratorëve të tjerë sipas një kalendari nga 9 deri në 45 ditë”, deklaroi ministrja.

Ndërkohë, në urgjencën e spitalin “Nënë Tereza”, por dhe atë të Traumës, po ngrihen çadra për të realizuar atë që njihet ndryshe si triazhi, apo momenti i parë i njohjes dhe vlerësimit të pacientëve sipas kritereve të percaktuara qartë, e mbi bazën e të cilave, ju jepet perparësia e trajtimit. Ky sistem përdoret nga personeli mjekësor apo i urgjencave për të racionalizuar burimet e kufizuara në rastet kur numri i të sëmurëve që ka nevojë për kujdes, rrezikon të kalojë burimet e disponueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG